Kryeministri ngushëllon, por minatorët kanë pritur më tepër

Më shumë se 24 orë pas vdekjes së minatorit Naim Shyti gjatë shpërthimit që ndodhi në minierën e Bulqizës, kryeministri Berisha vendos t’i dërgojë një telegram familjes së viktimës, të cilën e ngushëllon në emër të vetes, e të familjes së vet (ç’hyn familja këtu?) me ca fraza cliché të ngjyrosura me pakëz besim fetar (“lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar”). Ngjarjen e cilësoi si një aksident tragjik të dhimbshëm e tragjik. Në këtë mes të bën përshtypje se nuk e ka parë të udhës ta bëjë ngushëllimin në familjen Shyti. Me këtë rast do të mund të thithte pak “atmosferë Bulqize” por, me sa duket, nuk ka pasur besim se kjo vizitë do të pritej mirë nga minatorët.
Në fakt, kjo duket dhe tek reagimi që këta të fundit bënë menjëherë pas ngushëllimit të kryeministrit. Nuk e kanë pritur fort mirë këtë ngushëllim nga njeriu që nuk tha një fjalë të vetme gjatë muajve të protestës së tyre, që u finalizua me grevë urie. “Berisha nuk ka përmbushur as detyrimin moral të tij si qytetar gjatë grevës që zhvilluan minatorët për tre muaj me radhë”, thonë ata në reagimin e tyre”. Për më tepër, ata e kanë me kryeministrin edhe për faktin që hetimet lidhur me ngjarjen e djeshme nuk kanë filluar. Por kjo afërmendsh nuk ka të bëjë me egzekutivin.
Re.Pu.
Add new comment