Kronologjia e skandalit të perandorisë mediatike “Murdoch”

Postuar në 20 Korrik, 2011 06:11

Gazetat britanike në pronësi të manjatit mediatik Rupert Murdok janë akuzuar se kanë përgjuar në mënyrë të paligjshme telefonat e politikanëve, njerëzve të njohur nga bota e spektaklit, si dhe të viktimave të krimeve të rënda. Si rrjedhojë, kompania “News Corp.”, perandoria e tij mediatike, ka pësuar një goditje të fortë publike. Por si u arrit deri këtu?

Nëntor 2005 – Gazeta më e madhe dhe më e vjetër në pronësi të familjes Murdok, “News of the world’, boton një lajm rreth një plagosjeje të gjurit të Princit Uilliam. Kjo bëri që familja mbretërore të ankohej në polici për një përgjim të mundshëm të sekretarisë telefonike të princit.

Janar 2007 – Redaktori i “News of the world” që mbulonte familjen mbretërore dhe një detektiv privat dënohen për përgjim të telefonave mbretërorë. Andi Kulson, kryeredaktori i gazetës, pretendon se nuk ka dijeni për përgjimin, por sidoqoftë jep dorëheqjen.

Korrik 2007 – Andi Kulson, pas largimit nga gazeta, fillon punë si zëdhënësi i David Cameron-it, udhëheqësit të Partisë Konservatore, i cili më vonë zgjidhet Kryeministër

Qershor 2008 – Gordon Tejlor pranon një shumë prej 1.13 milion dollarësh, për të mbyllur një çështje gjyqësore rreth përgjimit të telefonit të tij nga dedektivi privat që punonte për “News of the world”.

Nëntor 2009 – Komisioni Britanik për Ankesat Kundër Mediave nxjerr një raport, në të cilin thuhet se nuk ka prova që përgjimi i telefonave vazhdon.

Mars 2010 – Një agjent i mardhënieve publike për një person VIP bie dakord të tërheqë padinë për “News of the World” në shkëmbim të pagesës prej 1.6 milion dollarësh.

Shtator 2010 – Shon Hor, një ish-korrespondent i “News of the World”, pretendon se përgjimi i telefonave ishte një praktikë e gjithëpërdorur në gazetë dhe se Andi Kulson, zëdhënësi i Kryeministrit Kameron, e kishte inkurajuar këtë praktikë kur ishte kryeredaktor.

21 janar 2011 - Andi Kulson jep dorëheqjen si zëdhënës i kryeministrit si rezultat i skandalit të përgjimit të telefonave.

26 janar 2011 - Policia metropolitane e Londrës fillon një hetim të ri rreth akuzave për përgjim telefonik nga “News of the World”.

5 prill 2011 – Korrespondenti kryesor i “News of the World” dhe ish-kryeredaktori i saj arrestohen nën akuzën e përgjimit të telefonave.

10 prill 2011 – “News of the World” kërkon falje publike për përgjimin e telefonave në periudhën 2004-06 dhe krijon një fond për kompensimin e viktimave të përgjimit.

14 prill 2011 – Xhejms Uedherap, gazetar kryesor i “News of the World” arrestohet nën akuzën e përgjimit të telefonave.

23 qershor 2011 – Gazetarja Terenia Taras arrestohet nën akuzën e përgjimit të telefonave.

4 korrik 2011 – Zbulohet se gazetarët e “News of the World” kishin ndërhyrë në sekretarinë telefonike të Milli Dauller, një adoleshente që ishte zhdukur pa lënë gjurmë disa vjet më parë. Pretendohet se, duke fshirë disa mesazhe, ata u krijuan prindërve të adoleshentes përshtypjen e gabuar se e bija ishte akoma gjallë.

6 korrik 2011 - Rupert Murdoku premton bashkëpunim të plotë me hetimin dhe i quan akuzat ndaj “News of the World” si të padenja dhe të papranueshme.

7 korrik 2011 - Kompania e Murdokut deklaron se “News of the World” do të mbyllet pas 168 vjetësh në qarkullim.

8 korrik 2011 – Andi Kulson, ish-zëdhënësi i kryeministrit dhe ish-kryeredaktori i “News of the World”, arrestohet. Ish-korespondenti i gazetës që mbulonte familjen mbretërore, i cili kishte bërë 4 muaj burg në 2007-ën për përgjim telefonik, riarrestohet nën akuzën e korrupsionit.

10 korrik 2011 – “News of the World” boton numrin e fundit të saj me kryetitullin “Faleminderit dhe Lamtumirë!”

11 korrik 2011 – Gordon Braun, ish-kryeministri britanik, akuzon gazeta të tjera në pronësi të familjes Murdok për marrje informacioni privat rreth tij në mënyrë të paligjshme.

12 korrik 2011 – Ligjvënësit britanikë kërkojnë zyrtarish që Rupert dhe Xhejms Murdoku (babë e bir), si dhe Rebeka Bruks, drejtoresha ekzekutive e kompanisë për Britaninë, të paraqiten në një seancë dëgjimore parlamentare.

13 korrik – Kompania e Murdokut tërheq ofertën e saj për të zotëruar 100% të aksioneve të BSkyB, platformës satelitore britanike (aktualisht zotëron rreth 40%). Ndërkohë, Kryeministri Kameron shpall fillimin e një hetimi të gjerë publik mbi të gjitha mediat britanike.

14 korrik 2011 – FBI-ja amerikane fillon një hetim mbi dyshimet se punonjës të kompanisë së Murdokut mund të kenë përgjuar telefonat e viktimave të 11 shtatorit në Nju Jork. Ndërkohë, Neil Uallis, një ish-kryeredaktor i “News of the World”, arrestohet.

15 korrik 2011 – Rebeka Bruksi jep dorëheqjen. Ndërkohë edhe Les Hinton jep dorëheqjen si President i kompanisë “Dau Xhons” dhe gazetës amerikane “The Wall Street Journal” (që janë në pronësi të plotë të Murdokut); ai ishte paraardhësi i Rebeka Bruksit në Britani.

16 korrik 2011 - Rupert Murdoku viziton familjen e adoleshentes së vrarë Milli Dauller, sekretaria telefonike e së cilës ishte manipuluar nga “News of the World”. Ndërkohë, ai publikon një falje publike 1-faqëshe në shtatë gazeta kombëtare britanike.

17 korrik 2011 - Rebeka Bruks arrestohet dhe merret në pyetje për 9 orë. Më pas lirohet kundrejt garancisë finaciare deri në tetor. Ndërkohë, jep dorëheqjen Pol Stefenson, drejtuesi i policisë metropolitane të Londrës dhe oficeri me gradën më të lartë në policinë britanike. Dorëheqja e tij vjen pas publikimit të lajmit se Neil Uallis, ish-kryredaktori i “News of the world”, kishte qenë pajtuar si konsulent i policisë për mediat.

18 korrik 2011 – Shon Hor, ish-korespondenti që kishte denoncuar i pari publikisht problemet në gazetën “News of the World”, gjendet i vdekur. Policia thotë se vdekja e tij mund të konsiderohet e pashpjegueshme, por jo e dyshimtë. Ndërkohë, jep dorëheqjen Zv.Shefi i Policisë së Londrës, i cili kishte konkluduar 2 vjet më parë se nuk kishte prova të mjaftueshme për të hapur një hetim zyrtar rreth përgjimit të telefonave nga gazetarët.

19 Korrik 2011 – Rupert dhe Xhejms Murdok, si dhe Rebeka Bruks, u përgjigjen pyetjeve të parlamentarëve britanikë në një seancë dëgjimore të Komisionit të Kulturës, Medias dhe Sporteve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Përgatiti: Eduard Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.