Krimi i Korçës i ka tronditur të gjithë
“Prej tri ditësh, qyteti i Korçës gdhihet e ngryset me jehonën e lajmit të vrasjes, e më pas të copëtimit të trupit, të 42 vjeçares Liliana Arapi”, kështu e nis rrëfimin e sotëm mbi këtë ngjarje një nga të përditshmet e sotme. Se mos vetëm Korça. E gjithë Shqipëria gdhihet e ngryset me këtë bisedë. Të gjitha të përditshmet e sotme i kishin kushtuar nga dy faqe fabulës tragjike, që në thelb ka të bëjë me një burrë mbi 80 vjeç që masakron dhe e copëton të dashurën e tij 42 vjeçare. Godet në këtë mes mosha e autorit të krimit, ashtu siç godet dhe krimi vetë, me trupin e ndarë në copa e me kryet e viktimës që s’gjenden. Godet dhe fakti që xhelozia mashkullore, jo vetëm nuk njeh kushtëzime anagrafike, por edhe shndërrohet në një movente për një krim të tillë të përçudshëm. Gazetat janë fokusuar tek saktësia e kronikës mbi këtë ngjarje, por s’do ish keq të merreshin dhe me sfondin, kontekstin e domethënien sociale të këtij krimi. Do ish më mirë të dinim se pse shoqëria shqiptare prodhon krime të tilla, se sa të bombardohemi me informacion të stilit voyeur-ist. Ka shumë për të thënë në këtë kuptim.
E.G.
Add new comment