Ka rënë GDP/frymë e vendeve të zhvilluara

Qysh nga momenti i fillimit të krizës disa vjet më parë, rritja e GDP-ve pësoi një ngadalësim të fortë në shumicën e vendeve të zhvilluara. Një numër vendesh janë karakterizuar këto kohë edhe nga rritje ekonomike afër zeros, e ndonjë sosh edhe me rritje negative. Kanadaja është mbajtur më mirë se shumë vende të zhvilluara në terma të rritjes së GDP-së. Po kështu dhe SHBA-të. Por kur vjen puna tek GDP-ja për frymë (e cila është një mënyrë më e mirë matjeje e performance-ës ekonomike), për shkak të rritjes së popullsisë gjatë këtyre katër viteve të fundit (krahasimi bëhet me fundin e vitit 2007), Kanadaja është 1% poshtë nivelit të momentit të para-krizës (fundi i 2007-ës pra). SHBA-të janë edhe më poshtë. Ndërsa Gjermania e Japonia, ndonëse janë karakterizuar nga rritje të dobëta të GDP-së, e mbajnë GDP/person më të lartë. Arsyeja ka të bëjë me faktin, që popullsitë e këtyre dy vendeve të fundit nuk janë rritur qysh prej 2007; madje, kanë pësuar rënie. Revista the Economist jep një diagramë të ecurisë së GDP/frymë në një numër vendesh, ku bie në sy një rritje e dukshme në vende si Kina, India, etj, dhe një rënie e qartë në pothuaj të gjitha vendet perëndimore.
Add new comment