A jetojmë vërtet mirë?

Postuar në 04 Janar, 2012 07:59

Duke dëgjuar Kryeministrin e Ministrin e Financave, teksa flasin për shifra rritjeje e stabilitet anti-krizë, duket sikur jetojmë në një ishull të veçuar nga pjesa tjetër e botës. Por sa lidhje kanë shifrat e rritjes ekonomike me mirëqenien reale? Fituesi i Nobelit, ekonomisti Joseph Stiglitz, sugjeron që për të njohur mirëqenien duhet shkuar përtej GDP-së.

Në fakt, njeriu i thjeshtë e koncepton ndryshe mirëqenien. Mirëqenia nuk është GDP. Mirëqenia bazohet mbi disa përgjigje të thjeshta për disa pyetje akoma më të thjeshta. “A të pëlqen puna që ke? Si je me shëndet? A kalon kohë me fëmijët e tu? A të gjenden pranë shokët kur ke nevojë? A u zë besë komshinjve? Dhe, sa i kënaqur je me jetën që bën?“

Prandaj dhe OECD-ja ka zhvilluar një matje të nivelit të mirëqenies bazuar mi këtë filozofi, dhe e ka titulluar ”Si është jeta?”

Rezultatet e nxjerra nga sondazhi kanë treguar që vendi me rritjen më të qëndrueshme, Turqia, ka qytetarë shumë më pak të lumtur se vendi në krizë, Portugalia. Ndërsa perandoria e re ekonomike, Kina, përbëhet nga qytetarët më të pakënaqur në botë.

Sipas studimit të OECD-së, balanca mes punës e jetës ndikon shumë në mirëqenie. Më pak se 30% e europianëve janë të kënaqur me këtë balancë. Kilianët e polakët kanë përqindjen më të lartë të kontratave të përkohshme, ndërsa luksemburgasit kanë sigurinë më të lartë në punë dhe janë më të paguarit. Ata që tremben më shumë se do humbin punën janë hungarezët, sllovenët e polakët. Japonezët e australianët janë të etur për punë me kohë të plotë, ndërsa kanë përqindjet më të larta të punës part-time.

Transporti, ndikon gjithashtu shumë. Koreanët e jugafrikanët harxhojnë më shumë kohë në trafik duke vajtur e ardhur në punë dhe për pasojë janë më të stresuar, ndërsa danezët, irlandezët e suedezët më pak se kushdo.

Më socialët janë neozelandezët e portugezët, ndërsa polakët, francezët e hungarezët kanë kontakte shumë më të rralla sociale.

Italianët e turqit ankohen më shumë se kushdo për mungesën e hapësirave të gjelbërta.

Për sa i përket pjesëmarrjes civile, norvegjezët, finlandezët e danezët janë në krye. 60% e tyre kanë kontaktuar një politikan, kanë nënshkruar një peticion apo marrë pjesë në një protestë, ndërsa më pak të angazhuarit janë turqit, rusët e portugezët.

n.s.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.