The Guardian: Kampioni i lajmeve të rreme në internet është italiani T. Debenedetti

Postuar në 31 Mars, 2012 12:29

Tommaso Debenedetti, profesor i italishtes e i historisë në një shkollë të Romës, i biri i Antonio-s dhe nipi i Gaicomo-s (që të dy kritikë e shkrimtarë), ka fituar vëmendjen e së përditshmes britanike the Guardian. Kjo e fundit i ka dhënë titullin e kampionit të lajmeve të rreme në web. Pse, si është puna? Tommaso Debenedetti ka kohë që, përveç punës së profesorit, bën dhe atë të gazetarit. Të një gazetari allasoj. Bën intervista dhe ua shet gazetave. Por ua shet, pasi i ka trukuar disi për qejf të vet.

Dhe nuk janë intervista me personazhe dosido. Jo, janë intervista me njerëz të rëndësishëm të botës, si Philip Roth, John Grisham, Paul Auster, Gore Vidal, Herta Muller, etj. E në këto intervista fut fraza të vetat, duke i shitur për të tyret. Fjala vjen, në gojën e Philip Roth-it vuri para ca kohësh shprehjen: “Obama? Hm, Obama ëhstë një zhëgnjim i madh”. Vazhdoi gjatë kështu, derisa një ditë prej ditësh lajmi i rrenave ra në vesh të revistës the New Yorker, dhe këtu i kushtuan një dossier. U bë shumë i famshëm prej atij momenti. Por nga trukimet nuk ka hequr dorë. Duket sikur e ka një patologji. Tani ka zënë të hapë dhe profile të rreme në facebook e në twitter. E ka bërë me personazhet Mario Vargas Llosa, Almudena Grandes, Abraham B.Yeoshua, Umberto Eco, etj, dhe shkruan në emër të tyre ç’t’i vijë në mendje.

“E bëj për të treguar se informacioni në web është i pamundur dhe i pabesueshëm”, thotë ai kotmëkot.

Re.Pu.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.