E diel. Tirana është e shkretë. Të gjithë drejt detit.

Postuar në 07 Gusht, 2011 06:06

Kjo është e diela më e shkretë e Tiranës gjatë kësaj vere. Me sa duket, një pjesë e madhe e banorëve të metropolit e kanë mbledhur mendjen për ta kaluar të dielën buzë detit. Shumë syresh nuk kanë mundësi të bëjnë pushime të gjata, të cilat janë të kushtueshme (agjencitë e lajmeve thoshin se edhe në Itali nuk është verifikuar fluksi i zakonshëm i pushuesve të muajit gusht), por një ditë e javës, sidomos kur moti është si një ftesë për t’u nisur drejt Adriatikut, nuk është ndonjë barrë e madhe në buxhetin e familjeve.

Prandaj gjatë paradites së sotme, në rrugët e Tiranës, syri të shihte veç të moshuar, tregtarë në nevojë që kërkonin të shtrydhnin në mënyrën e tyre dhe ditët e përtacisë humane, pensionistë me ndonjë gazetë në duar, njerëz që shëtisnin me qenin afër shtëpive, dhe aty-këtu të rinj e të reja të veshur shumë lehtë e si të trallisur. Vendet e parkimit buzë rrugëve kryesore ishin bosh, si kurrë ndonjëherë. Qetësinë e prishnin herë pas here varganët e makinave me dasmorë. Kujt i është dashur të jetë e të dalë në Tiranë në orët e para të së dielës së sotme, me siguri mund t’i jetë dukur për ndonjë moment se nuk është në Tiranë.

E.G.

Comments

Submitted by anisa (not verified) on

ne sarande nuk kishte 'tironsa' nje here...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.