Duhet të lëmë një libër shënimesh për turistët

Postuar në 08 Gusht, 2011 04:44

Jamie Twigg, një udhëtare neozelandeze, ulet dhe shkruan përshtypjet nga Shqipëria gjatë qëndrimit disa ditor në rrugë e sipër për në ishujt grekë. Nuk ka shumë gjëra të mira për të thënë. Mënyra si shqiptarët ngasin makinën, mbeturinat e hedhura gjithandej dhe…Tirana është një qytet pa personalitet. Por ajo vëren edhe disa gjëra të këndshme: njerëzit janë mikpritës, ushqimi është i shijshëm e i lirë dhe … vija bregdetare është magjepsëse. Në blogun e saj për një website neozelandez (stuff.co.nz) ajo shkruan se e shtyrë nga fjalët e mira për Shqipërinë në Rough Guide to Europe vendos që të kapërcejë Malin e Zi drejt Shqipërisë. Pas pak kilometrash në këtë vend ajo arrin të formulojë disa fakte jetësore:

1- Rregullat e qarkullimit janë më shumë si punë udhëzimesh. Shoferët në Shqipëri janë absoulutisht të luajtur mendsh: nëse rruga zë tri makina, atëherë harroji ndarjet e korsive; është koha për ta mbushur atë pak vend të mbetur. Në fakt, shqiptarët janë kaq shoferë të këqij sa rrugët e tyre janë të mbushura me kryqe dhe kjo shpjegon diçka.

2- Nëse je shqiptar një nga të afërmit e tu, me gjasë, është pronar i një karburanti. Gjatë rrugës luajtëm një lojë të quajtur “kape karburantin”. Nuk e zmadhoj kur them se sapo kalon një të tillë mund të dallosh një tjetër. Për ironi në Shqipëri je gjithmonë afër një karburanti.

3- Kazanët e plehrave vetëm sa zënë vendin kot. Pse të hedhësh mbeturinat në kosha kur mund t’i hedhësh në anë të një rruge e t’u vësh flakën?

4- Ndërtesat mund të ndërtohen e të lihen pa banuar. Kompanitë shqiptare të ndërtimit duket se kanë vendosur të ndërtojnë përgjysmë nja njëmijë shtëpi se, nuk i dihet. Në fakt  edhe ato që duket sikur kanë përfunduar kanë shufra hekuri që u dalin në majë të gatshme për katin tjetër. Oh, tullat janë kaq në modë në Shqipëri këto kohë!

Tirana i godet për keq udhëtarët neozelandezë. Ata pikasin gjurulldinë e madhe përzierë me neglizhimin po aq të madh. Në fund autorja thotë se nuk do t’ia rekomandonte askujt. Por falë Zotit kemi vijën bregdetare …. nëse je i gatshëm, sigurisht, të mbyllësh njërin sy për mbeturinat që shihen gjithandej. Për ta mbyllur, Jamie Twigg thotë se mezi pret të hidhet në Greqi.             

L.A.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.