Bode kundër BB-së për borxhin: “Çdo gjë në rregull”. Shifrat flasin ndryshe

Postuar në 19 Mars, 2012 07:41

Mediet u ishin mbushur këto dy ditë me deklaratën e krye ekonomistit të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Indermit Gill se Shqipëria kishte një nivel të lartë të borxhit publik dhe se duhej ta ulte atë të paktën në nivelin e 40 për qind të PBB-së (aktualisht jemi në kufijtë e 60 % të PBB-së, por opozita pretendon për më shumë ). Kjo ishte një deklaratë e fortë, gjë të cilën të paktën Ministria e Financave nuk mund ta anashkalonte. Pikërisht për këtë reagoi sot Ridvan Bode, i cili përkundër shqetësimit të BB-së, thekson se çdo gjë shkon në rregull me borxhin. Bode e thotë këtë duke iu referuar faktit se pjesa më e madhe e borxhit publik është borxh i brendshëm.

Banka Botërore shqetësohet duke parë treguesit zyrtar të qeverisë, kurse kjo e fundit përpiqet të qetësojë duke u bazuar në premtime. Por si paraqitet aktualisht Borxhi Publik i vendit? Treguesit e fundit zyrtar, janë ato të nëntë mujorit, sipas të cilave deri në shtator, vendi kishte një borxh total prej 769 miliardë lekë me një rritje prej 53.5 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të mëparshme. Qeveria ndërkohë parashikon të paguajë 49.6 miliardë lekë vetëm për të mbuluar interesat e borxhit për vitin 2012. Kjo shifër është 2.8 miliardë lekë më e lartë krahasuar me koston e shërbimit të borxhit të një viti më parë. Kjo është edhe arsyeja se përse shqetësohen Banka Botërore.

Për sa i përket borxhit të brendshëm, ankandet e zhvilluara gjatë këtij viti nga qeveria flasin për një rritje të vazhdueshme të kostos së tij për bonot një vjeçare. Bankat janë të prirura për të blerë më shumë bonot gjashtë dhe tre mujore duke shmangur një risk me afat të gjatë dhe duke shfaqur shenja mosbesimi tek aftësia paguese e buxhetit të shtetit.

 

S.E.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.