Ambasadori danez “del nga linja”

Postuar në 20 Korrik, 2011 06:11

Ka bërë bujë një intervistë e gjatë e ambasadorit danez të akredituar në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, dhënë për të përjavshmen Mapo. Është hera e parë që një ambasador i huaj shfaqet hapur me kritika të forta në adresë të maxhorancës qeverisëse. Ai flet për zgjedhjet e 8 majit, dhe jep konsiderata aspak ledhatuese mbi klasën politike, e cila – sipas tij – nuk arriti ta marrë provimin e zgjedhjeve. Por qortimet më të forta janë të natyrës jo elektorale. “Në Shqipëri nuk ka demokraci e nuk ka shtet të së drejtës; politikanët ndërhyjnë në punën e institucioneve; në gjykatat e nivelit të lartë refuzohen njerëz të kualifikuar e emërohen të paaftët; media është nën presion; administrata është e pushtuar nga militantë partie”, nënvizon ai disa prej gjërave që s’shkojnë në vendin e shqipeve.

Binte në sy në këtë intervistë një dëshmi sui generis e tij: “[Gjatë fushatës elektorale] personalisht kam qenë pranë vdekjes më shumë se njëherë, sepse militantë të ndryshëm kanë qenë duke i dhënë makinës në mënyrë moskokëçarëse rreth zonës së Bllokut, ku unë punoj”. Në të vërtetë, askush nuk ka pse të ketë dyshime mbi vërtetësinë e këtij rrëfimi. Rrugët e mbushura me makina të grahura nga militantët janë një pamje rutinore gjatë fushatës elektorale.

E. G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.