Ç’do të thotë klasifikimi B1 i Moody's për obligacionet e thesarit shqiptar?
Moody's, një nga tre kompanitë më prestigjioze në botë për klasifikimin e obligacioneve shtetërore, publikoi dje raportin për obligacionet e thesarit shqiptar. Ajo i renditi ato në nivelin B1, me motivacionin: “Ky klasifikim merr parasysh nivelin e ulët të fuqisë ekonomike, financiare dhe institucionale të qeverisë shqiptare, si dhe ndjeshmërinë afat-mesme ndaj rreziqeve ekonomike-financiare” Sipas Moody's, probabiliteti për ndryshimin e këtij klasifikimi është i vogël gjatë vitit që vjen (stable outlook). Por ç’do të thotë klasifikimi B1 i Moody's? Moody's i konsideron obligacionet e klasës B si spekulative, të ekspozuara ndaj një rreziku të lartë mospagimi dhe të një cilësie përgjithësisht të ulët krediti. Në zhargonin e investitorëve në bursa, obligacionet e kësaj klase quhen “obligacione plehra” (junk bonds). Disa nga shtetet që kanë marrë klasifikimin B1 nga Moody's janë Guinea e Re Papua, Fixhi, Surinami, Senegali, Vietnami, Mongolia, etj.
E.Z.
Add new comment