Vrasja në Lapardha, 26 vjeçari i dënuar, u qëllua me 3 plumba

VLORE - Zbardhen detaje të reja të vrasjes me armë të 26 vjeçarit ditën e djeshme rreth orës 15:00 në malin e Shashicës në Lapardha të Vlorës. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Daniel Likaj është vrarë me tre plumba.
Ai mësohet se është qëlluar fillimisht në këmbë, dhe më pas me dy plumba në gjoks. Po ashtu siç bëhet e ditur nga policia, Likaj rezulton një person me precedentë penalë, pasi ishte dënuar më parë për kultivim të lëndëve narkotike. Jo vetëm kaq, por ai ka vetëm dy javë që ishte liruar nga qelia me detyrim paraqitje në shërbim të provës .
Daniel Likaj, 26 vjeç u vra dje nga 3 persona të panjohur në malin e Shashicës në Lapardha, në një zonë të njohur si epiqendra e kultivimit të kanabisit në Vlorë.
Sipas policisë, viktima dyshohet se ka qenë bashkë me dy shokë të tij, ndërsa u ndesh me 3 persona të tjerë të panjohur, ku pas një konflikti të çastit, këta të fundit kanë qëlluar me armë kallashnikov ndaj 26 vjeçarit.
Dy miqtë që shoqëronin Danielin janë marrë në pyetje nga policia dhe ata kanë deklaruar se nuk kishin arritur t’i identifikonin personat që kanë qëlluar.
Ja si u arrestua Daniel Likaj në operacionin “Lindja e diellit”
Arrestimi u krye më 19 shkurt 2010. Operacioni policor i koduar “Lindja e diellit” u zhvillua njëkohësisht në katër shtete, Shqipëri-Itali-Greqi-Belgjikë dhe u finalizua me arrestimin e 35 personave (24 shqiptarë), shumica prej të cilëve shtetas shqiptarë.
11 prej të arrestuarve ishin shtetas italianë dhe tre grekë. Shqiptarët mes tyre dhe Daniel Likaj ishin kryesisht nga Kavaja, Vlora por kishte dhe nga Elbasani dhe Pogradeci e Korca.
Add new comment