Veliaj: Skema e ndihmës ishte e fryrë. Gjetëm më shumë militantë se të varfër
Kreu i Ministrisë së Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, gjatë prezantimit të strategjisë për reformën sociale dhe ndihmën ekonomike, u ka dhënë përgjigje edhe akuzave të opozitës.
Veliaj ka sqaruar se para 2 vitesh skema e ndihmës ekonomike ishte e fryrë me militantë partiake dhe borxhet e mbartura ndaj kësaj shtrese ishin të mëdha.
“Që çdo betejë elektorale, në skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar trajtohej si gjendje lufte, ku njerëzit futeshin me ndihmë ekonomike vetëm për të dhënë votën dhe për të tundur një flamur është pa kuptim. Militantët e partive, këta me dyqan mermeri, dyqan mishi, tri makina vilë dykatëshe, u thamë udha e mbarë se ju nuk jeni për këtë punë dhe paratë që kursyem nga këta njerëz, ua shtuam atyre që realisht janë nevojtarë”, tha Veliaj.
Skema e re dixhitale mundëson identifikimin dhe verifikimin e çdo individi që aplikon për ndihmë ekonomike, që shmang mundësitë për përfitime të paligjshme.
Sipas skemës së re ndihem ekonomike e marrin 70 përqind të grave. Por pjesë e skemës janë edhe fëmijët të cilët jetojnë në qendra rezidenciale.
Gjatë vitit të shkuar 107 fëmijë janë rikthyer në familjet e tyre biologjike falë ndihmës që i është dhënë familjes.
“Ambicia jonë është që shumë prej qendrave rezidenciale të mbyllen dhe sa më shumë kujdesje të transferohen pranë familjeve. Nëse ne llogarisim koston e të mbajturit hapur të një institucioni, besoj që jemi dakort që me ato 300 ose 400 mijë lekë, më mirë t’i bashkangjiten familjes që do të kujdeset për ata fëmijë, sesa të vazhdojmë të mbajmë institucione të tjera në këmbë”, shtoi ministri Veliaj.
Veliaj, i cili pas të mërkurës nis zyrtarisht fushatën për kryetar bashkie, ka përmendur edhe detyrat që duhet të kenë këta kandidatë që lidhen ngushtësisht me nevojat e njerëzve.
/ Top Channel
Add new comment