Tullë në kokë oficerit të policisë, i kapi duke i vjedhur dyqanin

Një oficer policie është plagosur i gjuajtur me tullë dhe mjete të forta, ndërsa është përleshur me një nga dy hajdutët që kishin vjedhur dyqanin qëndodhej brenda shtëpisë së tij. Oficeri i policisë së krimeve pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Kujtim Vreka, kthehej në banesë pas kishte qenë në gatishmëri, kur dy adoleshentët grabitës janë pikasur prej tij me një çantë në dorë. Vreka u ka kërkuar të ndalonin për verifikim, pasi ka parë që ata u hodhën nga muri i avllisë së shtëpisë së tij, por njëri prej tyre e ka sulmuar duke e goditur rëndë dhe më pas ka arritur të largohen me shpejtësi, pasi oficeri ka humbur ndjenjat nga goditja.
Policia ka raportuar se rreth orës 3 e 30 të mëngjesit oficeri i krimeve Vreka kthehej në banesën e tij dykatëshe në lagjen periferike, numër 14 të Shkozetit, kur ka pikasur dy persona të cilët kaluan murin e avllisë së tij, rreth dy metra të lartë me një çantë në duar. Çanta ka rënë pikërisht aty ku gjendej automjeti i tij i parkuar, Ai është ulur të merrte çantën e braktisur nga grabitësit dhe ka parë se si një prej tyre është larguar me vrap, ndërsa pandehu se edhe hajduti tjetër bëri të njëjtin veprim. Pikërisht në këtë moment kur ai është ulur të marrë çantën, adoleshenti hajdut e ka qëlluar me një tullë në fytyrë, duke i shkaktuar fraktura të rënda, dhe thyerje të kockës së hundës. Mësohet se Vreka është përleshur me hajdutin, i cili edhe pasi e ka qëlluar me tullë i ka rënë me grusht. Në spital ka qëndruar vetëm disa orë, derisa ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën, ndërsa në mëngjes mjekët e spitalit të Durrësit e kanë nisur për trajtim të specializuar në repartin e traumatologjisë në spitalin Ushtarak në Tiranë. Nga mjekët e spitalit të Durrësit mësohet se 50-vjeçari kishte dëmtim shumë të madh në fytyrë, pasi ishte thyer kocka e hundës dhe kishte humbur shumë gjak. Mësohet se oficeri i policisë nuk ka njohur asnjë prej grabitësve, dhe i ka ndaluar ata për kontroll në orët e para të mëngjesit, dhe rastësisht është zbuluar se 2 adoleshentët mallrat i kanë grabitur në dyqanin ushqimor ku ishte e vetëpunësuar bashkëshortja e tij.
Mësohet se oficeri i krimeve ka thënë se nuk ka njohur asnjë prej dy grabitësve, por nisur nga gjatësia dhe shpejtësia e lëvizjeve dyshohet se ata janë adoleshentë jo më të mëdhenj se 17-vjeçarë. Policia e Durrësit bën me dije se një prej grabitësve është identifikuar, ndërsa po punohet për kapjen e tij. Komshinjtë shprehen se në dyqanin e 50-vjeçarit Vreka marrin të gjithë veresie, ndërsa në këtë lagje periferike ka mjaft grabitës që sulmojnë natën subjektet tregtare.
MAPO
Add new comment