Trojka në Greqi, 'goditja e fundit' për sektorin privat
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/7755_9_9.jpg?itok=JxshW3EJ)
Përfaqësuesit e Trojkës (FMN, BQE, Komisioni Evropian) mbërrijnë sot në Athinë, për negociatat mbi programin e ri të ndihmës dhe programin e shkëmbimit të obligacioneve.
Objektivi i qeverisë është të sigurojë pjesëmarrje sa më të madhe të sektorit privat në programin e shkëmbimit të obligacioneve, me qëllim prerjen e borxhit, por negociatat do të jenë të vështira, sepse pjesëmarrja është ende e ulët.
Në këtë mision të cilësuar “faktmbledhës”, Trojka do të shqyrtojë përparimin e programit aktual si dhe "do të shkëmbejë pikëpamjet me qeverinë greke mbi çështje që lidhen me programin e dytë të ndihmës".
Pritet që Trojka të japë një "goditje" të fortë në sektorin privat, duke kërkuar ulje pagash dhe shpërblimesh, me qëllim reduktimin e mëtejshëm të kostove të punës në këtë sektor.
Mediat greke paralajmërojnë se përfaqësuesit e Trojkës do të këmbëngulin sërish në uljen e pagës minimale të punonjësve në sektorin privat. Kjo çështje u diskutua njëherë në muajin tetor dhe shkaktoi tronditje të madhe në shoqërinë greke.
Sipas mediave, Trojka do të kërkojë gjithashtu "prerjen" e pagës së 13 dhe 14 në këtë sektor, ndërsa ministri grek i Punës Kutrumanis tha sot se kjo cështje nuk bën pjesë në kërkesat e Trojkës.
Gjithashtu zyrtarët e Trojkës do të bëjnë presion për largimet nga sektori publik, pasi janë të pakënaqur me ritmin e aplikimit të sistemit të punonjësve rezervë.
Një tjetër temë e "nxehtë" në diskutimet e zyrtarëve të Trojkës do të jetë edhe ligji i ri tatimor, ndryshimi i rimbursimit të TVSH-së për fermerët si dhe heqja e rregjimit të taksave të posacme, të zbatueshme në ishujt etj.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment