Transporti urban në Tiranë, pritet dyfishim i çmimit të biletave dhe aboneve

Postuar në 18 Janar, 2012 07:13

Biletat dhe abonetë për transportin publik në Tiranë, shumë shpejt do të dyfishohen. Çmimi i biletës do të shkojë deri në 70 lekë, nga 30 që është aktualisht. Edhe ata që përdorin abonetë do të përballen me një rritje dyfish të çmimit të saj, nga 1300 lekë në 2600 lekë. Këto propozime pritet t'i bëhen zyrtare Bashkisë së Tiranës në ditët në vijim nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas. Kryetari i saj shpjegon gjatë një interviste për "Albanian Screen", se rritja bëhet kryesisht ngaqë për investimet që bënë firmat rreth 1 vit më parë, nga blerja e autobusëve nuk u subvencionuan nga bashkia e Tiranës.

"Ne vitin e kaluar kemi bërë një investim jashtëzakonisht të madh, gati 19.2 milionë euro që kemi blerë autobuzë me kilometër zero, autobuzë me kushte komoditeti. Të gjitha këto risin kosto, ndryshe nga bizneset e tjerë ne duhet që të akumulojmë. Pra, amortizimi i mjeteve është jashtëzakonisht i madh dhe pas 7 vitesh, përsëri bashkia do të kërkojë autobuzë me kilometër zero", tha Hazbi Parllaku, kryetar i shoqatës kombëtare të transportit qytetas.

Një arsye tjetër thonë përfaqësuesit e kësaj shoqate është se çmimi i biletës, duhet të indeksohet në raport të drejtë me çmimin e naftës në treg. "Nafta tek ne zë 60 përqind të kostot. Që nga viti 2008 nuk është indeksuar rritja e çmimit të naftës me rritjen e çmimit të biletës", vijon Parllaku.

Ata që përballen drejtëpërdrejtë nga kjo rritje e çmimit të biletës janë qytetarët. Ata thonë se nëse bileta do të shkojë 70 lekë, nuk do ta përdorin më autobuzin ose do ta përdorin shumë pak atë. "Shumë keq.  Do ecim në këmbë", thotë një qytetar. "Për mua është shumë e shtrenjtë. Njerëzit janë pothuajse të gjithë pa punë. Nga e keqja do e përdor urbanin ça të bëjmë", shprehet një tjetër.

Shoqata e transportit kombëtar qytetas thotë se në rast se propozimi i tyre nuk do të gjejë zbatim do të mbyllin fare biznesin pasi për ta është falimentim. Ndërkohë, vula përfundimtare për këtë propozim i takon Këshillit të Ministrave.

 

 

Edlira Sulejmani

 

Albanian Screen

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.