Topi: Mosmarrëveshjet, të mos pengojnë integrimin

Postuar në 09 Nëntor, 2011 10:21

Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se klasa politike shqiptare edhe pse është ende e përfshirë në vorbullën e debatit dhe retorikës politike për çështje të ditës, i ka lexuar tashmë qartë mesazhet e Brukselit lidhur me përparimin integrues evropian të Shqipërisë dhe reformat e domosdoshme në këtë drejtim. 
Duke folur në një takim me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefano Sannino, kreu i shtetit shqiptar shprehu besimin, se pavarësisht vështirësive për gjetjen e rrugëve të një bashkëpunimi konkret dhe të menjëhershëm, përmes edhe vendosjes së urave të përbashkëta të komunikimit dhe dialogut institucional, klasa politike shqiptare do të dijë të reflektojë dhe të vendosë si përparësi të agjendës së saj politike interesat madhore të qytetarëve shqiptarë.
"Ky ka qenë dhe thelbi i mesazheve dhe apeleve të vazhdueshme publike. E ardhmja evropiane e shqiptarëve dhe përmbushja e aspiratës së këtij populli për të qenë pjesë e familjes evropiane nuk duhet të vihet më në pikëpyetje nga mosmarrëveshjet e brendshme politike", mësohet të jetë shprehur Topi, bën të ditur njoftimi zyrtar i Presidencës.
Nga ana e tij Sannino shprehu mirënjohjen për këtë takim me Presidenti Topi, duke vlerësuar veçanërisht rolin institucional e kushtetues të Kreut të Shtetit shqiptar në administrimin e situatës politike dhe institucionale aktuale, si dhe mesazhet e qarta dhe korrekte publike të bëra prej tij.

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.