Topi kthen ligjin e mbetjeve
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/7761_bamir-topi_0.jpg?itok=0QH-wJWZ)
Presidenti i Republikes, Bamir Topi ka vendosur të kthejë për rishqyrtim në Parlament, ligjin për menaxhimin e mbetjeve.
Gjate sqarimit te motivit per mosdekretimin e ketij ligji, i cili u kalua para dy javesh vetem me shumicen e votave te maxhorance qeverisese, Presidenti ka argumentuar se, neni qe parashikon importimin e mbeturinave del jashte qellimit te ligjit.
"Kushtetuta e Shqipërisë, dokumenti ynë themelor, udhërrëfyes i tërë veprimtarisë sonë shtetërore dhe shoqërore, parashikon si një ndër objektivat socialë të institucioneve shqiptare, synimin për një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm", thotë presidenti.
Në motivacion, Presidenti shpjegon se në bazë të Kushtetutës, vendosi të mos e dekretojë ligjin, por ta kthejë edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, pasi në të ka gjetur mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit të vetë ligjit.
"Qëllimi kryesor i ligjit është marrja e masave të nevojshme dhe të domosdoshme për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Parashikimi i nenit 49, për importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për “minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”, thuhet në motivacion.
Presidenti u drejtohet deputetëve duke i kërkuar shqyrtimin e ligjit me qëllim realizimin sa më të mirë të qëllimit për të cilin është miratuar, menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut.
Topi: Politika po penalizon shqiptarët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh nga qyteti i Fierit se “shoqëria shqiptare po penalizohet nga politika”.
"Mbetem i mendimit se ligji ka nevojë për përmirësime në drejtimet e mësipërme, por gjykoj se çdo variant i ofruar duhet të jetë në pajtim me objektivat socialë që Kushtetuta ka vendosur, që institucionet dhe shoqëria shqiptare duhet të kenë në raport me jetën tonë dhe brezat e ardhshëm", thotë presidenti Topi.
“Apeli im i djeshëm për partitë ishte publik.Sot, shoqëria shqiptare po penalizohet nga politika. Nuk është e denjë për Parlamentin të angazhohet me sharje e fyerje, por të punojë për integrimin”, deklaroi Topi.
“Reagimet e djeshme provuan përfundimet e Komisionit Evropian”, tha presidenti duke iu referuar deklaratave të ndërkombëtarëve.
Përsa i përket ligjit të mbetjeve, Topi nënvizoi se “nuk është i keq, por ka kontradikta mes disa neneve dhe duhet rishikuar”.
Marrë nga top-channel.tv
Add new comment