Taksa e re europiane, Cameron kundër: Do ta bllokoj

Përballë zotimit francez për të ecur përpara me zbatimin e taksës mbi transaksionet financiare, një vendosmëri po aq e madhe shprehet nga britanikët për ta bllokuar atë. E ashtuquajtura "taksa Tobin", ka marrë një goditje të rëndë nga kryeministri britanik, David Cameron, sipas të cilit Franca është e lirë ta aplikojë atë në vendin e saj si taksë mbi transaksionet, por aplikimi në një shkallë më të gjerë europiane, sipas tij, nuk do të gjejë mbështetjen britanike.
Bëhet fjalë për ndryshimet në funksionimin financiar të Europës, sipas marrëveshjes së samitit të Brukselit, detajet e së cilës do të formësohet deri në muajin mars. Por, kundërshtitë vazhdojnë mes partnerëve europianë.
"Ideja e një takse të re europiane kur ajo nuk do të zbatohet edhe në vende të tjera, është e palogjikshme dhe kështu unë do ta bllokoj atë. Ne nuk do ta pranojmë, derisa pjesa tjetër e botës të bjerë dakord për të pasur një takse të tillë në të njëjtën kohë"- tha Cameron.
Presidenti francez, Nikolas Sarkozy premtoi se do të përmbushte planet për paraqitjen e taksës së re financiare edhe nëse partnerët europianë të saj nuk do të ishin dakord.
Përsa i takon Gjermanisë, qeveria kërkon të arrijë paraqitjen e kësaj takse në nivel europian. Edhe për kryeministrin italian, Mario Monti do të ishte e nevojshme që taksa të mos aplikohet nga shtete të veçanta.
Në lidhje me "taksën Tobin" ekziston një propozim i Komisionit Europian që deri në vitin 2014 aplikimi i saj, të sjellë rreth 50 miliardë të ardhura. Thelbi i propozimit është formësuar nga Gjermania e Franca, ndërsa kundërshtohet vec Britanisë, edhe nga Suedia e Malta.
Aplikimi i saj nga shtete të caktuara, sic pretendon Sarkozi, ndërkaq, ka trembur tregjet financiare në Paris.
Juli Prifti
Albanian Screen
Add new comment