Tërmet në Japoni, nuk ka njoftime për viktima dhe dëme

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 ballë të shkallës Rihter ka goditur Japoninë në ditën e parë të vitit 2012, por nuk ka pasur njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme materiale, madje as paralajmërim për cunami.
Tronditjet e tokës janë të zakonshme për Japoninë, mirëpo tërmeti dhe cunami i 11 marsit të 2011, i ka vendosur në gatishmëri institucionet e këtij vendi. Këtë 1 janar, tronditjet janë regjistruar në ishujt jugorë të Torishimës rreth 1800 km larg Tokios.
Zyrtarët në e Tokyo Electric Power thanë se nuk është njoftuar për ndonjë gjë të pazakontë nga centrali bërthamor i Fukushimës, i cili ndodhet nën monitorim që prej 11 marsit për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi dhe panikut që përhapi në të gjithë botën për ndotje radioaktive. Disa trena të shpejtësisë së lartë, në Japoninë veriore pezulluan shërbimin, por për pak kohë, njoftoi agjencia e lajmeve Kiodo.
Japonia është tokë e 20 për qind të tërmeteve që ndodhin në të gjithë botën me magnitudë 6 ballë e më shumë. Por, tërmeti i 11 marsit me fuqi 9 ballë, më i fuqishmi në historinë japoneze, shkaktoi krizën më të madhe bërthamore në botë prej Çernobilit. Pothuajse 23 mijë njerëz vdiqën apo u shpallën të zhdukur prej kësaj ngjarjeje, një nga më të rëndat e vitit që sapo u mbyll.
Juli Prifti
Albanian Screen
Add new comment