Strehimi, Romët 'dynden' tek Avokati i Popullit

Pjestarë të komunitetit romë vijojnë prej 3 ditësh të qëndrojnë me cadra tek institucioni i Avokatit të Popullit.
Ditën e sotme është shtuar numri i tyre pasi familjeve që qëndronin aktualisht aty pasi kanë mbërritur dhe disa familjeve rome nga zona e Selitës.
Fillimisht në këtë insitutcion ishin strehuar 45 persona.
Gjendja shëndetësore e fëmijëve është stabilizuar ndërsa mësohet se disa prej tyre janë dërguar në spital për mjekim.
Pas krijimit të një situate jo normale në ambientet e Avokatit të Popullit, reagoi titullari i këtij institucioni, Igli Totozani.
Ai këshilloi romët e sapoardhur sot që të rikthehen në banesat e tyre duke garantuar se do të merret seriozisht me problemet e tyre sociale-ekonomike.
“Ju keni probleme të natyrave të ndryshme. Ne i dimë hallet tuaja, ne i morëm shënim një për një, emër për emër, unë ju premtoj se kam detyrim ligjor dhe kushtetues se kërkesat tuaja do merren parasysh. Do flasim me Bashkinë e Tiranës me gjithë organet shtetërore që problemet tuaja të hyjnë në rrugën e zgjidhjeve. Në mënyrë miqësore, kthehuni në shtëpitë tuaja që ne të punojmë të qetë. Qëndroni ku jeni, na lini të punojmë për këta persona që kanë mbetur komplet të pastrehë. Sa u përket problemeve tuaja, ju garantoj që ne ju kemi hapur një derë shumë të madhe”.
Më pas Totozani bëri të ditur për TVNews24 se ekziston aktualisht një bashkëpunim i shkëlqyer me Bashkinë e Tiranës dhe besohet se do të arrihet së shpejti në një zgjidhje.
“Por, kemi gërvishtur një plagë, plagë e krijuar ndër vite dhe shoh që problemi është më i madh se kaq. Besoj se ky vit, do të jetë viti i këtyre qytetarëve”, tha Totozani.
“24 orë po punojmë për këtë çështje dhe besoj do të kemi një zgjidhje të shpejtë. Do të synojmë të zgjidhim të gjitha problemet e këtyre qytetarëve që janë të akumuluara ndër vite”, tha Totozani.
Po, kështu Avokati i Popullit u ka dërguar ushqime dhe veshje, por pjestarët e komunitetit rom ankohen se nuk kanë kushte ku të gatuajnë.
Romët presin zyrtarisht të akomodohen në banesa pas djegies së barakeve tek zoan e ish-Stacionit të Trenit në Tiranë.
Godina Ushtarake
Gjendja alarmante e romëve të cilët janë strehuar te zyrat e Avokatit të Popullit, ka bërë që Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të miratojë urgjentisht vendimin për përshtatjen e një godine ushtarake në Kombinat për këto familje.
Sipas të dhënave nga Ministria ky dokument është miratuar në mënyrë qarkulluese, duke u dërguar për t’u firmosur në çdo ministri.
Këto familje rome prej një viti, pasi u dëbuan nga barakat e tyre në zonën e Stacionit të Trenit, po strehoheshin në disa çadra të ngritura nga Ministria e Punës në afërsi të Bregut të Lumit. Por, duke qenë se ky dikaster nuk kishte më fonde për pagimin e qirasë, pronarët e tokës i dëbuan dhe prej datës 1 shkurt, strehimi i tyre janë bërë zyrat e Avokatit të Popullit. Sipas këtij vendimi, ambientet që më parë kanë qenë në varësi të Ministrisë së Brendshme tashmë do i kalojnë Ministrisë së Punës, e cila ka parashikuar që këto godina të kthej në qendra multi-funksionale jo vetëm për komunitetin rom por edhe për shtresat në nevojë si janë jetimët.
Strehimi tek shkolla ‘1 Maji’
Dje Bashkia e Tiranës ka reaguar për strehimin e romëve duke deklaruar se strehimi i përkohshëm i 52 romëve të mbetur pa strehë do të bëhet në palestrën e shkollës "1 maji". Bashkia do të krijojë kushtet e nevojshme jetike për këta persona në bashkëpunim me partnerët socialë. Gjithashtu ky institucion bën të ditur se ka siguruar çadra dhe mjete të tjera të nevojshme, në raste të ngjashme emergjencash ndërsa shprehet se ka ngritur një grup pune, që do të trajtojë në vazhdimësi emergjenca të kësaj natyre. Por, nga ana tjetër ka reaguar Avokati i Popullit, duke thënë se ambientet e palestrës nuk janë të përshtatshme për strehimin e tyre. "Avokati i Popullit do të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës për trajtimin e kësaj çështjeje, por Avokati i Popullit kërkon një zgjidhje përfundimtare për këta njerëz. Avokati i Popullit kërkon një trajtim më dinjitoz për këta qytetarë shqiptarë dhe mendon se palestra nuk është zgjidhja e përshtatshme", - thuhet në deklaratën e këtij institucioni.
Ballkanweb.com
Add new comment