Sindroma Down, në Shqipëri vuan një në 200 fëmijë

Vetëm pasi e lindi ajo mësoi se foshnja e saj, Belkisa, kishte Sindromën Down. Por edhe pse mbeti e shokuar, Enkeleda Pillati e donte këtë fëmijë njësoj si dy vajzat e tjera më të mëdha. E dashuria e saj për Belkisën, bëri që Enkeleda të mësojë të jetë jo vetëm nënë, por dhe edukatore, mjeke dhe psikologe. Ajo është shumë e qetë sot e këtë mesazh e përcjell dhe për shumë nëna të tjera, që kanë lindur fëmijë me Sindromën Down.
"Personalisht e kam mësuar në momentet e para pas lindjes që vajza ka Sindromin Down. Është një çik shokuese, është një çik e rëndë për prindërin, por që ne e pranojmë mëse normale dhe gjëja e parë që kemi bërë kanë qenë informacionet që kemi pasur me mjekët se çfarë ecurie duhet të ketë ky fëmijë dhe se si duhet të punohet që të integrohet në një jetë normale dhe sociale. Aktualisht Belkisa është në çerdhe, është futur që 9 muajshe. Këto kanë qenë gjërat e para që më kanë thënë mjekët, që duhet të jetë në një ambient me fëmijë", tha Enkeleda Pillati, nëna e Belkisës.
Organizata të ndryshme në mbarë vendin në ditën ndërkombëtare të Sindromës Down kanë apeluar kundrejt shoqërisë nëpërmjet një marshimi ku ishin edhe fëmijët me këtë sindromë. Punonjësit e qendrave sociale ndërkaq shprehen se ata trajtojnë jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e tyre.
"Vështirësia është që ata kërkojnë një punë më tepër dhe për të folur pastaj sa e vështirë është për një person me sindromën Down, them se sindromi vetë i shkakton atyre një prapambetje mendore. Kjo varion nga e moderuar në të rëndë, në varësi të problemeve që fëmija ka varion dhe vështirësia ose dhe puna më e madhe që duhet të bësh me ata. Punohet njëkohësisht me familjen dhe fëmijën", u shpreh Jorida Cane, Punonjëse sociale, qëndra "Ndihmoni jetën".
Një kromozom më tepër bën që personat me Sindromën Down të shihen ndryshe nga të tjerët, por ata jetojnë si gjithë të tjerët, ndërsa rehabilitohen në qendra të ndryshme sociale. Vitet e fundit specialistët kanë vënë një rritje të numrit të fëmijëve Down; një në 200 të lindur ka këtë sindromë.
Albanian Screen
Add new comment