Siguria, SHBA-të nuk tërhiqen nga Kosova

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në NATO janë të zotuara të mbajnë numrin rreth 6 mijë ushtarë në Kosovë për sa kohë të jetë e nevojshme në mënyrë që të ruajnë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun, kanë deklaruar për RTK-në burime në Washington.
Kjo çështje është diskutuar dhe vendosur në fund të tetorit në takimet e ministrave të jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes të aleancës së NATO-së.
Është thënë më se njëherë nga zyrtarë amerikanë se pjesëtarët e forcave të NATO-së në Kosovë ‘bashkë kanë hyrë dhe bashkë do të dalin’, dhe se tërheqja nuk bëhet në mënyrë individuale.
Në këtë fazë nuk mund të flitet për një tërheqje të njëanshme të forcave amerikane nga Kosova, forca këto që përbëjnë kurrizin e sigurisë së pranisë ushtarake të KFOR-it.
Megjithatë, përderisa nuk kishte shpërthyer dhuna në veri të Kosovës, NATO kishte planifikuar shkurtimin e forcës së KFOR-it edhe për 2,500 ushtarë, mirëpo ky plan është stopuar për një kohë të pacaktuar.
Prania ushtarake amerikane në Evropë është pjesë e zotimit strategjik afatgjatë amerikanë për sigurinë evropiane dhe në këtë kontekst shihet edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë. Si pjesë e kësaj strategjie, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për integrimin e vendeve të Ballkanit në institucionet Evro-Atlantike, duke e bërë atë pjesë të bërthamës dhe sigurisë evropiane.
Panorama
Add new comment