Siguria rrugore, Haxhinasto dhe Tahiri firmosin marrëveshje me kompanitë e sigurimeve.

Ministria e Transporteve dhe Ministria e Brendshme nënshkruan një marrëveshje me kompanitë e sigurimeve.
Nga të dy ministrat kjo marrëveshje u cilësua si shumë e rëndësishme pasi pritet të reduktohet numri i aksidenteve rrugore.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadër të masave të planit kombëtar të sigurisë rrugore.
Ministri Tahiri falënderoi të gjitha kompanitë e sigurimit për gadishmërinë e tyre për të nënshkruar këtë marrëveshje. Sipas tij kjo është një marrëveshje e përbashkët për të garantuar sigurinë rrugore.
“Na bashkon qëllimi për të garantuar qytetarët që drejtojnë një mjet ose jo, por janë konsumatorë të rrugës, si shoqëri të bëjmë të pamundur për ta shpëtuar Shqipërinë nga lista e vendeve me më shumë aksidente me pasoja fatale. Renditemi ndër vendet me përqindjen më të lartë të aksidenteve duke marrë parasysh të gjithë faktorët si popullsinë dhe numrin e makinave”, tha Tahiri.
Më tej ai shtoi bashkëpunimi me operatorët privat në fushën e sigurisë përbën një element të shtuar. “Nuk mjaftojnë vetëm masat represive, ose masat e sanksionit për të disiplinuar çështjen e qarkullimit dhe për të ulur numrin e aksidenteve. Faktorët e aksidenteve janë të shumëfishtë, përpjekjet tona janë maksimale për të ulur aksidentet”, siguroi ministri Tahiri.
Ministri nënvizoi se kjo nuk mund të jetë përpjekje ekskluzive shtetërore, por shoqërore.
“Kemi planifikuar marrëveshje që një përqindje e të ardhurave të kompanive të shfrytëzohet nga Ministria e Transporteve dhe Ministria e Brendshme për infrastrukturën rrugore. Iniciativa të tilla, përpjekja më totale në 23 vjet për të adresuar çështjen e disiplinimit në rrugë”, tha Tahiri.
Ndërsa ministri Haxhinasto e cilësoi marrëveshjen e rëndësishme dhe shumë dimensonale. Sipas tij trendi është shumë pozitiv, të dhënat janë shumë të sakta.
“Premtuam reduktimin me 20% të aksidenteve në rrugë, jemi në rrugën e duhur. Institucionet së bashku mund të realizojnë objektivat siç është shpëtimi i jetës së njerëzve. Kjo do ketë rritje të rregullsisë dhe të procesit së transportit, ky është qëllimi ynë madhor në fushën e transportit”, tha Haxhinasto.
Haxhinasto përfundoi fjalën e tij duke e lënë të hapur mundësinë për të zgjeruar bashkëpunimin me shërbime të tjera për të siguruar më tej jetën e qytetarëve dhe për të garantuar sigurinë rrugore.
Add new comment