"Shqiptari dinak", versioni britanik për Enver Hoxhën

Postuar në 18 Mars, 2012 12:20

Figura e Enver Hoxhës vazhdon të jetë në vëmendjen e botuesëve. Një analizë e hollësishme mbi këtë emër nga analisti Xhon Hollidei rivjen në shqip. "Shqiptari Dinak Enver Hoxha" është botuar fillimisht në vitin 1986 në Britani dhe në vitin 1994 në Shqipëri. Por cilat janë arsyet pse regjisori dhe botuesi Kujtim Gjonaj e nxitën të ribotonte këtë libër.

"Me këtë libër Xhoni Hollidei i bën një analizë komplekse figurës drastike të Enver Hoxhës, një analizë tepër serioze, jo siç jemi mësuar ne, ti shohim këta libra, o thjesht bardhë, o thjesht zi. Por është shumëkolorësh. Merret shumë dhe me politikën e jashtme të shtetit shqiptar, që natyrisht përfaqësohej pa asnjë dyshim nga Enver Hoxha", tha Kujtim Gjonaj, botues.

Në këtë libër Hollidei bazohet në fakte dhe dokumenta historik duke sjellë në analizë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të politikës së jashtme që ndoqi Enver Hoxha gjatë pushtetit.

"Katër janë pikat kryesore ku mbështetet Xhoni Hollidei në këtë libër. Është lufta nacional çlirimtare, lufta me jugosllavët, me rusët, dalja nga traktati i Varshavës dhe prishja me kinezët. Në këtë drejtim ai mundohet që të nxjerr zgjuarsinë, dinakërinë, të nxjerr nacionalizmin e Enver Hoxhës. Ka raste ku thotë që në analizat që bën pretendon se Enver Hoxha më shumë se sa komunist, ka qenë nacionalist, që hiqej para perëndimit me kulturë perëndimore dhe në vendin e tij mbante lart pishën e asaj që quhej diktaturë e proletariatit", thotë Gjonaj.

Ndërkohë në stendën e titujve të rinj këtë javë në shqip Zhyl Vern me "Inditë e zeza, ose Qyteti i nëndheshëm". Nga kroati Timoslav Bilosniç prezantohet proza me titull "Tigri", ndërsa prej poetëve më të njohur të Europës Juglindore, slloveni Tomaz Salamun sheh dritën e botimit "Baladë me metka Krasovec".

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.