Shkup, BDI kundër protestave

Postuar në 29 Dhjetor, 2012 04:20

Drejtuesi i partisë shqiptare në pushtet BDI, Ali Ahmeti tha se ngjarjet e dhunëshme të ditës së hënë gjatë miratimit të buxhetit në Kuvend janë të padëshirueshme për të dhe subjektin që drejton ai. Ahmeti dënoi edhe dhunën ndaj gazetarëve ndërsa tha se protestat nuk janë zgjedhja më e mirë e opozitës maqedonase për të shprehur bindjet e veta.

“Bashkimi Demokratik për Integrim  do të kontribuojë që opozita të kthehet në Kuvend. BDI do të punojë që të afrohemi për qëllime më të larta sepse për imazhin e shtetit duhet të punojmë të gjithë dhe përgjegjësi kemi të gjithë. Ne jemi për komunikim, për transparencë por nuk jemi as për vandalizëm, as për presione ndaj institucioneve”, tha Ahmeti.

Edhe lideri i partisë shqiptare në opozitë PDSH, Menduh Thaci, tha se dhuna që ushtroi policia të hënën  në Parlament është e papranushme. Por, Thaci sqaroi se ai nuk pajtohet me protestat e opozitës maqedonase dhe tha se PDSH nuk do të përfshihet në to.

“Nuk pajtohem me politikën artificiale, virtuale dhe mashtruese që bën opozita maqedonase se në Maqedoni ka probleme të drejtave të qytetarëve...ndoshta, por këto janë probleme shumë të vogla. Në Maqedoni ka problem me të drejtat etnike të popullit shqiptarë të cilat në mënyrë të pamëshirshme shkelen nga ana e qeverisë. Unë mendoj se opozita maqedonase dhe qeveria ende refuzojnë ta kenë të qartë se atyre për të pasur një shtet normal u duhet marrëveshje e re politike me shqiptarët”, deklaron Menduh Thaçi.

Këto komente dy liderët shqiptarë i bënë në konferencat e fundvitit. Thaçi akuzoi partinë shqiptare në pushtet BDI se edhe gjatë vitit që po lëmë pas nuk arriti të përmirësojë situatën e rëndë të shqiptarëve. Nga ana tjetër, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, tha se subjekti i tij gjatë këtij viti ka bërë gjëra që do të lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë.

 

TCH

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.