Shkelën sigurinë në punë, ISHPSH 2 mln lekë gjobë 3 firmave të naftës.

Inspektorati Shtetëror i Punës ka marrë masa ndaj 3 subjekte në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës pasi kanë rezultuar me shkelje të Ligjit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Kanë qenë disa ankesa të njëpasnjëshme të ardhura në adresë të Inspektoratit Shtetëror të Punës, si dhe disa raste të aksidenteve të ndodhura në punë, në sektorin e naftës që kanë shtyrë Drejtorinë Përgjithshëm të ISHPSH-së Dritan Ylli, të ngrejë një grup pune të përbërë nga inspektorë pune.
Grupi i kontrollit ka qenë i përbërë nga inspektorë të të Drejtorisë së Përgjithshme të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe të Degës Rajonale Fier, të cilët ushtruan kontroll në subjektet që zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në këtë sektor.
Gjatë një periudhe dymujore janë inspektuar 12 subjekte, ku janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore të Kodit të Punës dhe të Ligjit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Shkeljet e konstatuara përbënin një risk të shtuar për aksidente dhe sëmundje profesionale, shumë shqetësuese në këtë sektor.
Gjithashtu gjatë këtij kontrolli u trajtuan dhe u zgjidhën në favor të punëmarrësve edhe ankesat e ardhura në drejtim të dy subjekteve, nga ish-punëmarrës të tyre.
Për të gjithë shkeljet e konstatuara u lanë detyra për t’u realizuar me afate kohe të përcaktuara si dhe u morën masa ne zbatim të ligjit;
- Sanksion për 3 subjekte në masën e 2 milionë lekëve, të cilët janë dhe punëdhënësit më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm në këtë sektor
- Paralajmërim për sanksion për 6 subjekte të tjera, të cilat do të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga inspektorët e punës.
Zbatimi me korrektese i legjislacionit të punës, si dhe Ligjit për Sigurinë dhe shëndetin në punë, për të krijuar vende pune sa më të sigurta dhe të shëndetshme, do vijojnë të jenë prioritet i Inspektoratit të Punës në vijimësi.
Add new comment