Serbët djegin flamurin e BE: Nuk e duam këtë kullë letrash që po shpërbëhet
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/9279_9_6.jpg?itok=QJU_Dbwv)
Menjëherë pas vendimit të marrë nga Bashkimi Europian për mosdhënien e statusit të vendit kandidat për Serbinë, kanë reaguar partitë serbe. Zyrtarët e Partisë Radikale Serbe (SRS) kanë kërkuar që Serbia menjëherë të ndërpresë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Përfaqësues të kësaj partie kanë organizuar sot para Presidencës serbe protesta kundër vendimit të BE-së dhe nën moton “Serbia nuk e do anëtarësimin në BE”, zyrtarët e SRS-së i kanë vënë zjarrin flamurit të BE-së. “E vetmja gjë e keqe që ka mundur të na ndodhë nga pranimi i Serbisë si kandidate në BE, është vendimi se për këtë do të vendoset në mars”, ka thënë nënkryetari i SRS-së, Dragan Todoroviç.
Sipas tij, agonia do të vazhdojë në tre muajt e ardhshëm, derisa të përmbushen të gjitha kushtet e BE-së dhe SHBA-ve që Serbia vullnetarisht ta pranojë pavarësinë e Kosovës. “Të kota janë rrëfimet e tyre se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse në sfond do të pranojnë absolutisht gjithçka që Kosova të ekzistojë si shtet i pavarur”, ka thënë Todoroviç, duke shtuar se BE nuk do të ndalet në rrëmbimin e Kosovës, por se paralelisht do të bëjë presione për pavarësinë e Vojvodinës dhe autonominë e Sanxhakut. “Serbia nuk ka alternativë.
Rroftë Serbia e Madhe, rroftë Vojislav Sesel (i akuzuar i Hagës për krime kundër njerëzimit)”, ka thënë zyrtari i SRS-së, Zoran Krasiç. Serbët, sipas nënkryetarit, Milorad Mirçiç, nuk duan anëtarësimin në BE, sepse është kullë e letrave që e vetmja gjë që i ka ngelur është të shpërbëhet.
Gazeta Tema
Add new comment