'Së bashku për paqen', marshim kundër dhunës ndëretnike në Shkup

Mbi 2 mijë aktivistë, personalitete të jetës civile dhe intelektualë marshuan në Shkup për të përcjellë apelin kundër dhunës ndëretnike të kohëve të fundit, më e ashpra që nga koha kur vendi arriti të shmangë luftën civile një dekadë më parë. Në dy javët e fundit, incidente të shumta janë regjistruar nga banda të rinjsh sllavë të drejtuara kundër shqiptarëve, ku ka pasur edhe viktima.
Parrullat e manifestimit në shqip dhe maqedonisht 'Së bashku për Paqen', apo 'Paqja është rruga e duhur', i drejtohet autoriteteve të Shkupit për të treguar vendosmëri në ndëshkimin e autorëve të dhunës. Parrulla që nxisin luftë mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë parë në disa qytete maqedonase, ndërkohë që të martën e kaluar u njoftua për rrahjen e dy të rinjve shqiptarë dhe vrasjen e një biznesmeni, po shqiptar.
Të gjitha këto, sikundër edhe keqtrajtimi i nxënësve shqiptarë nga të rinj maqedonas, apo grafitet e pahijshme në tabelat treguese në Ohër, kanë rritur së tepërmi tensionet etnike në Maqedoni. "Dëshirojmë të tregojmë se duam të jetojmë së bashku, me njëri-tjetrin, jo vetëm sepse jemi fqinj me njëri-tjetrin. Të jetojmë pa dhunë dhe në paqe",-thotë Ana Jovkovska, gazetare e televizionit maqedonas, pjesëmarrëse në marshim.
Kryeministri konservator i Maqedonisë, Nikola Gruevski, qeveria e të cilit është ndërtuar mbi koalicionin me partinë e Ali Ahmetit, ka paralajmëruar një përgjigje të fortë nëse dhuna etnike do të vazhdojë. Bashkimi Europian shprehu shqetësim dhe bëri thirrje për qetësi. NATO dhe BE luajtën një rol kyc në ndaljen e luftimeve në vitin 2001, por Maqedonia po mbetet shumë pas në përpjekjet e saj për t'u bashkuar me të dyja blloqet.
Albanian Screen
Add new comment