Rruga e Kombit bëhet me pagesë pas zgjedhjeve

Rruga e Kombit do të ketë taksë pas zgjedhjeve dhe këtë e konfirmon Ministria e Transportit, e cila pohon se “e sigurt është që rruga do të bëhet me pagesë në muajt e verës”.
Pakti pritet të firmoset në shkurt apo në mars me kompaninë fituese, ndërsa zbatimi dhe marrja nën kontroll e rrugës për të paktën 25 vjet, do të bëhet në verë, në pikun e sezonit turistik dhe pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.
Sipas gazetës Shqip, projekti synon dhënien me koncesion të akseve Milot-Kalimash-Morinë, e gjatë afro 115 km, me synimin e mirëmbajtjes nga shoqëri private kundrejt pagesës prej 5 eurosh.
Kompania që do të marrë rrugën me koncesion, duhet të investojë të paktën 80 milionë euro, jo vetëm për mirëmbajtjen, por edhe vendosjen e sigurisë dhe mbjelljes së pemëve. Mendohet se rruga do të rrethohet me gardh prej telash për të mos lejuar kalimin e banorëve dhe kafshëve të zonës sikurse do të ketë më shumë masa sigurie.
Nga një përllogaritje qeveria mund të mbledhë vetëm nga tuneli rreth 13 milionë euro në vit sa i takon qarkullimit në këtë aks, pasi sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, mësohet se mesatarisht në ditë në këtë aks lëvizin 6500-7000 automjete. Në sezonin e verës rrugën e përshkojnë rreth 12000 automjete, ndërsa në dimër rreth 3500.
TEMA
Add new comment