Rreziqet e reja në ekonomi

Në raportin e saj të fundit mbi stabilitetin financiar, Banka e Shqipërisë evidenton disa nga rreziqet që mund t’i vijnë ekonomisë në vijim.
Banka vëren se stimuli fiskal dhe kërkesa e huaj për produkte dhe shërbime shqiptare do të vijojnë të zvogëlohen. Duke patur parasysh këtë rrezik, Banka këshillon qeverinë se është mëse e nevojshme ulja e borxhit publik dhe mbajtja e deficitit në nivele të ulëta.
Banka kërkon nga qveria gjithashtu që të kërkojë borxhe me afate të gjata shlyerjeje dhe nga më shumë burime. Një tjetër vëmendje, thotë Banka, qeveria duhet t’i kushtojë shlyerjes në kohë të detyrimeve në valutë. Sipas raportit, të gjithë faktorët e përmendur më lart mund të ndikojnë në ngadalësim të rritjes ekonomike të bizneseve si dhe në rënie të investimeve private dhe të konsumit.
Një tjetër rrezik sipas Bankës së Shqipërisë është diferenca në ritmin e rritjes ekonomike dhe normat reale të interesit mes Shqipërisë dhe vendeve partnere në tregtinë me jashtë. Sipas Bankës, ky faktor do të ndikojë në deficitin tregtar, por që masa e ndikimit mbetet ende e paqartë. Megjithatë, thuhet në raport, niveli i deficitit tregtar është i lartë dhe përbën një rrezik potencial për zhvillimet makroekonomike në vend.
Një tjetër rrezik vjen nga kreditimi. Individët dhe bizneset janë të ekspozuar ndaj rrezikut të tërthortë të kreditit, por kjo do të jetë në varësi të gjendjes së tyre financiare.
Për individët, ekspozimi ndaj lëvizjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit vjen kryesisht kur ata marrin kredi në valutë për të blerë banesa. Ndërsa bizneset janë më të rrezikuar nga luhatjet e pafavorshme në normën e interesit.
Edhe banakat e nivelit të dytë ballafaqohen me risqe. Rreziku më i madh për to, sipas Bankës Qendrore, vjen nga kreditimi e sidomos rritja e kredive të këqia e cila është e dukshme në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
Më tej në raport thuhet se bankat janë relativisht të mbrojtura nga rreziku i kursit të këmbimit dhe normat e interesit, por aftësia e tyre për të gjeneruar të ardhura ka nevojë të forcohet.
top-channel.tv
Add new comment