Riekspertimi i videos Meta-Prifti, gjykata rrëzon prokurinë

Postuar në 14 Nëntor, 2011 12:55

Sot rreth orës 16:15 Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e prokurorisë për një riekspertim të videos Meta-Prifti. Prokuroria kishte kërkuar që ekspertimi të bëhej nga ekspertë të huaj, ndërkohë që Gjykata e Lartë vendosi që gjyqi të vazhdojë me pyetjen e 4 dëshmitarëve të parë në seancën e radhës, më 21 nëntor, duke hedhur kështu poshtë kërkesën për riekspertizë.
Kërkesën për ekspertë të huaj, prokurorët e bazuan në pretendimin se ekspertët shqiptarë nuk ia kanë arritur qëllimit, madje sipas tyre ata kanë dështuar në ekspertimin e videos.
SEANCA SOT
Tre ekspertët e video-përgjimit Meta – Prifti, i dhënë sot përgjigje 27 pyetjeve të prokurorisë si edhe 7 pyetjeve të avokatëve të Ilir Metës.
Ata i kanë qëndruar kryesisht rezultateve të ekspertizës së tyre të dhënë pak ditë më parë, por nuk e kanë bindur dot me përgjigje prokurorinë, që i kërkoi trupit gjykues riekspertim të videos, por nga ekspertë të huaj.
Tre specialistët që realizuan ekspertizën e video- përgjimit ndaj ish- zv/kryeministrit Ilir Meta, ripërsëritën qëndrimin e tyre se, video nuk është origjinale.
Lidhur me ekspertizën e video- përgjimit ndaj Metës, ekspertizë kjo, që përfshiu disa aparate si orë kamera, Laptop, duke folur në seancë, eksperti Ardian Pollo, theksoi se, "nuk mund të provohet që, regjistrimi i bisedës Meta- Prifti, të jetë bërë me orën kamera, objekt ekspertimi", ashtu sikurse pretendohet nga prokuroria. Eksperti Pollo, ndër të tjera, e vuri theksin tek mundësia e ndërhyrjes në kompjutera, duke pohuar se, profesionistët mund të bëjnë ndërhyrje pa lënë gjurmë në këto aparatura.
Prokurorët kanë pyetur në detaje kryesisht teknike sesi ekspertët e kishin realizuar ekspertizën e tyre që rrëzoi video-përgjimin.
Pas kësaj seance degjimi prokurorët kërkuan një orë kohë për te shqyrtuar përgjigjet e ekspertëve, kërkesë e cila u pranua nga gjykata dhe procesi rinisi ne orën 13.00.
Pasi u tërhoq 1 orë për të verifikuar përgjigjet e sotme të ekspertëve, prokurorët në sallën e gjyqit kërkuan një riekspertim të video-përgjimit. Prokurorët shprehen se nuk binden nga përgjigjet e 3 ekspertëve shqiptarë duke shtuar se ata kanë dështuar me akt-ekspertizën. “Përfundimet e arritura lënë vend për abuzime”, tha prokurorët. Duke analizuar përgjigjet e sotme të 3 ekspertëve, prokuroria kërkoi që riekspertimi të bëhet sërish dhe nga ekspertë të huaj.
Gjykata u tërhoq për të marrë vendim ndaj kerkeses se prokuroreve. 
Dhënia e përgjigjeve pritet t’i japë fund ekspertizës së video-përgjimit dhe më pas do të vijojë me dëshmitë ku kryesorja do të jetë ajo e ish-Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi 10 pyetjet e prokurorisë një seancë më parë, pasi sipas avokateve ato ishin sugjestionuese. Në këtë seancë organi akuzës u ka drejtuar tre ekspertëve shqiptarë që rrëzuan ekspertizën amerikane për video-përgjimin Meta- Prifti 37 pyetje teknike, se si e kishin realizuar ata ekspertizën.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion në kohën kur ai kryente detyrën e zëvendës kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, akuzë e ngritur në bazë të një video të regjistruar nga ish-ministri i ekonomisë Dritan Prifti.

balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.