Raporti i BSH, rritet stoku i kredisë

Rreth 530 miliard lekë ishte shuma që individët dhe bizneset kanë marrë si kredi në bankat e nivelit të dytë. Të dhënat më të fundit, tregojnë se në muajin tetor kredia në sistem ishte rreth 2 miliard lekë më shumë se muaji shtator.
Banka e Shqipërisë bën me dije në raportin më të fundit se nga 530 miliard lekë kredi, rreth 370 ishte kredia që bankat kanë dhënë për biznesin, ndërsa pjesa tjetër ishte për individët. Në të dhënat e tetorit, del se kredia e re ishte vetëm 37.7 miliard lekë, ndërsa pjesa tjetër prej 493 milard është stok kredia që bankat kanë. Duke kaluar në sektorët e ndryshëm, për bizneset shihet qartë se nuk ka rritje të kredisë në ato kërkesa që paraqiten në banka. Për sektorin e ndërtimit, kredia në tetor ishte rreth 68 miliard lekë, me një rritje prej vetëm 880 milion lekësh nga muaji shtator.
Po kështu, me rritje modeste të kredisë janë paraqitur dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, ndërkohë që kërkesa është e lartë. Për tu theksuar është fakti që nga 530 miliard lekë që është totali i kredisë që kanë dhënë bankat, vetëm 177 miliard është kredia në lekë, ndërsa pjesa tjetër prej 353 miliard është në valuatë, kryesisht në euro.
Florian Papadhimitri
Albanian Screen
Add new comment