Rama: Referendum për plehrat
Kreu socialist, Edi Rama, kërkoi referendum për rrëzimin e ligjit të importimit të mbetjeve. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë mbledhjes së zakonshme të Grupit Parlamentar socialist. “Përvoja tragjike e vendeve të varfra, pa kontroll kufitar të mirëfilltë, që kanë pranuar të fusin plehra nga jashtë dhe kanë marrë brenda mortjen e radioaktivitetit, tregon se në linjat e lëvizjes së plehrave drejt këtyre vendeve lëvizin edhe interesa shumë të mëdha mafioze. Për këtë duhet të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion dhe të mos mjaftohemi vetëm me debatin në Parlament. Ne jemi kundër importit të plehrave. Shoqëria civile është kundër importit të plehrave. Qytetarët janë kundër importit të plehrave. Le të eksplorojmë pa humbur kohë mundësinë e një referendumi popullor dhe për këtë, Blendi Klosi, i cili është marrë imtësisht me projektin, të konsultohet me komisionet përkatëse e të bëjë një draft-propozim për diskutim”, u shpreh Rama. Kryesocialisti u shpreh se me të ardhur PS-ja në pushtet, do ta shfuqizojë këtë ligj dhe shumë ligje të tjera që maxhoranca aktuale, sipas tij, i ka miratuar për interes të pushtetit të Kryeministrit. “Presidenti i Republikës, siç e dimë, e ka kthyer mbrapsht ligjin e plehrave. Pikërisht për faktin rrëqethës se lejon importin e plehrave nga jashtë. S’ka asnjë dyshim se me t’u ulur në tryezën e qeverisë, ligji i parë që ne do të fshijmë nga kapica e ligjeve mbeturina të interesave të paligjshme të oborrit të Saliut, do të jetë ky ligj antikombëtar, antidemokratik, madje antinjerëzor. Por kjo s’mjafton”, u shpreh Rama.
Taksat
Kryesocialisti, gjatë fjalës së tij para deputetëve, preku dhe çështjen e taksimit dhe heqjes së TVSH-së për ushqimet bazë. “Lypset të vazhdojmë të ngremë fort zërin për heqjen e 20% të çmimit të bukës, vezëve, qumështit, duke hequr TVSH-në për to. Ta ngremë zërin fort për heqjen e TVSH-së për këto produkte dhe po ashtu për reduktimin e TVSH-së së energjisë. Saliu u ka premtuar qytetarëve 6% TVSH për energjinë dhe ua ka bërë 20%. Ne mendojmë se shifra 6% është e mundur dhe e domosdoshme për ta lehtësuar barrën e rëndë të faturës së energjisë mbi çdo familje”, u shpreh Rama.
Kreu i Partisë Socialiste bëri me dije disa nga çështjet që prek programi i ri i kësaj partie, që do të miratohet në Kongresin e 5 nëntorit. “Kemi një alternativë të re për një ndryshim radikal të sistemit të taksave, që i jep fund taksimit të të gjithëve njëlloj dhe vendos në themelin e sistemit parimin kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak. Kemi një alternativë të re për një ndryshim të shumëpritur të sistemit shëndetësor e arsimor. Kemi një alternativë të re për një ndryshim jetik të sistemit të sigurisë së jetës e të pronës publike apo private. Kemi një alternativë të re për një ndryshim radikal të qeverisjes së territorit e të mjedisit. Kemi një alternativë të re për Shqipërinë Europiane”, u shpreh Rama.
Mbledhja
Mbledhja e Grupit Parlamentar socialist, ndryshe nga çdo javë, kur mblidhet të hënën, këtë javë u zhvillua të martën, për shkak të një angazhimi të deputetëve. Të hënën deputetët socialistë ishin në Durrës te kolegu i tyre, Gazmir Bizhga, nëna e të cilit u nda nga jeta. Bashkë me kryetarin e PS, deputetët socialistë u ndodhën për ngushëllim, duke bërë që mbledhja e Grupit të shtyhej me një ditë.
Ahmetaj: Kërkohet bashkëpunim pozitë-opozitë
Dita e dytë e tryezës së konferencës së pestë të Kartës së Adriatikut ka shërbyer si një hapësirë debati politik mes opozitës dhe maxhorancës, ku deputeti socialist Arben Ahmetaj tha se “nuk mund të pretendojmë çështje të mëdha integruese kur nuk kemi zgjidhur elementet bashkëpunues brenda vendit”. Gjatë fjalës së tij Ahmetaj tha se pa një bashkëpunim pozitë-opozitë në politikën shqiptare nuk mund të arrihet transformimi i institucioneve në Shqipëri. Siguria dhe bashkëpunimi me vendet e rajonit për luftën kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar është efektiv tha ministri i brendshëm Bujar Nishani. Duke folur për çështjet të sigurisë dhe në mënyrë të veçantë sa i përket sistemit të drejtësisë Arben Ahmetaj tha se nga ky sistem për arsye të zgjatjes së procedurave janë ndalur çështje që hetohen për afera korruptive. Konferenca e pestë e Kartës së Adriatikut u mbajt për dy ditë me radhë në Tiranë. Kuvendi i Shqipërisë kishte ftuar të bëheshin pjesë e kësaj tryeze përfaqësues nga të gjitha vendet e rajonit përfshi këtu edhe Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, vende këto të cilat nuk morën pjesë në këtë takim.
Panorama
Add new comment