Rama i dhuron Papës "tokën shqiptare", Basha çelësin e Tiranës

Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë të vendit pas mbërritjes në vendin tonë, Papa Francesku është nderuar edhe me dy dhurata mjaft të veçanta e simbolike nga Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.
Ashtu siç kishte publikuar edhe më herët kreu i qeverisë Rama në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, ka zgjedhur ti dhurojë Atit të Shenjtë një kupë dheu prej tokës së shqiptarëve, të cilën Rama ia dhuroi Papës sapo mbërriti në aeroportin e Rinasit.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Lulzim Basha me të mbaruar pritja në Presidencë i ka dhuruar udhëheqësit të lartë të Kishës Katolike çelësin e kryeqytetit. Basha i ka dorëzuar Atit të Shenjtë edhe titullin e dhënë nga Këshilli Bashkiak, "Qytetar Nderi i Tiranës". "Për mua, ishte një nder i veçantë që në emër të qytetarëve të Tiranës, t’i dorëzoj Atit të Shenjtë titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin:
Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave, në krye të Selisë së Shenjtë si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë,"-ka shkruar Basha në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Add new comment