PSE IKU BEHRAMI?

Postuar në 09 Janar, 2013 08:49

 

Jetullah Behrami, anëtar i Asamblesë së Skenderajt nga LDD’ja, tash e disa muaj nuk ka shkuar në parti e as në komunë. Sipas gjithë gjasave, ai ka ikur jashtë shtetit. Këshilltari komunal që u bë i famshëm pas deklaratave se frikohet të dalë në qytet pa revole në brez, pohohet të jetë dëshmitar në Rastin e Gecëve që akuzohen për krime lufte.

Ka më shumë se gjashtë muaj që në mbledhjet e Kuvendit Komunal në Skenderaj mungon një këshilltar.

Njeriu që edhe në këto mbledhje gjithnjë ka shkuar me revole në brez nuk po duket më. Jetullah Behrami së bashku me familje ka marrë botën në sy. Askush nuk e di ku është ai. Për vendndodhjen e tij nuk dinë as kolegët nga partia e as nga Kuvendi Komunal. Mirëpo, Behrami që kryeson degën e LDD’së në qytetin e Skenderajt ka gjasa që shumë shpejt të kthehet në Kosovë. Jo për të jetuar, por që të dëshmojë në një rast për krime lufte. Nëse aktakuza që është ngritur konfirmohet se Behrami do të jetë dëshmitar kryesor qoftë edhe nga vendi ku është.

Këtë e konfirmon avokati i njërit nga të pandehurit të këtij rasti, Mahmut Halimi.

Avokati që e mbron Rrustem Gecin tha se Jetullah Behrami është njëri nga dëshmitarët e prokurorisë.

“Po, ai person është, e dimë që gjendet diku jashtë vendit, por nuk e dimë ku”, tha Halimi për Express.

Edhe njëri nga familjarët e të pandehurve Adem Geci tha se Jetullah Behrami është dëshmitar në këtë rast. Ndërkaq misioni EULEX nuk ka mohuar e as pohuar nëse Behrami ka shkuar jashtë vendit me ndihmën e EULEX’it apo i njëjti ka ndonjë status të veçantë nga ky mision. Përgjigja e misionit europian ishte shumë e shkurtër në pyetjet e gazetës për rastin që Prokuroria Speciale ka ngritur ndaj vëllezërve Geci nga Llausha.

“Në përgjithësi, EULEX nuk komenton rreth hollësive të hetimeve në vazhdim”, ka thënë një nga zëdhënësit e EULEX’it, Bardha Azari.

Megjithatë, në aktakuzën që ka ngritur prokuroria, por që ende nuk është konfirmuar Behrami ka deklaruar se ishte në vendin e ngjarjes më 18 qershor të vitit 1999 kur janë vrarë Vehbi dhe Gani Berisha.

Tash prokurori italian Mauricio Salustro po akuzon vëllezërit Hetem dhe Rrustem Geci dhe kushëririn e tyre Sabit Geci se e kanë kryer këtë vrasje të dyfishtë. Të tretë që nga 15 nëntori i vitit që shkoi gjenden në paraburgim si të dyshuar se në cilësi të pjesëtarëve të UÇK’së kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Në ndërkohë familja Geci mohon se të afërmit e tyre e kanë kryer vrasjen, avokati Halimi tha se më 17 janar pritet të mbahet seanca për konfirmim.

Por, as familja Geci e as zyrtarë të degës së LDD’së në Skenderaj nuk dinë arsyet e shkuarjes jashtë vendit të Behramit.

Nënkryetari Fadil Geci tha të martën për Express se Jetullah Behrami që është edhe kryetar i degës ka shkuar goxha moti dhe as nuk e ka njoftuar askënd nga dega për largimin e tij.

“Ne nuk na ka njoftuar as nuk na ka dhënë asnjë informatë se ku ka mundur të shkojë. Madje as vulat e partisë nuk m’i ka lënë”, tha nënkryetari Geci.

Megjithatë, partia sipas Gecit, po pret edhe disa ditë në mënyrë që Behrami të lajmërohet dhe të japë arsyet e shkuarjes së tij.

Ai nuk ka komentuar nëse kryetari i tij ka pas ndonjë motiv që të ikë.

“Le të deklarohet ai vetë por pa pas një arsye të fortë nuk besoj që ish shku”, tha Fadil Geci. Madje ky nuk harron që të përmendë se Jetullah Behramit pas luftës iu ka vrarë vëllai dhe nipi, është plagosur vetë në dy sulme si dhe i është plagosur edhe vajza.

Geci nuk beson se Behrami ka ndonjë lidhje me rastin për të cilin Gecët gjenden në paraburgim, megjithatë thotë se po pret të zbardhet i tërë ky rast.

Jetullah Behrami sipas të gjitha gjasave do të zëvendësohet në pozitën e këshilltarit komunal.

Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi i komunës Hajriz Koci.

Sipas tij, këshilltari Behrami ka humbur të drejtën që të vazhdojë më tutje për shkak të mungesave. Koci tha se Behrami ka munguar në shumë seanca dhe nuk ka dhënë ndonjë arsye për këto mungesa. Ai nuk komenton se ku ka mundur të shkojë këshilltari komunal por tha se shpejt do të zëvendësohet.

“Edhe partia e tij ka kërkuar që të fillohet me procedurat e zëvendësimit”, tha Koci

Ndryshe Gecët janë arrestuar në nëntor të vitit që shkoi nën akuzën për krime lufte.

Dy prej të arrestuarve, Rrustem dhe Hetem Geci, janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, ndërsa Sabit Geci punëtor në PTK. Sulmi i armatosur kundër dy vëllezërve Berisha kishte ndodhur më 18 qershor të vitit 1999 para spitalit të Skenderajt. Vehbi Berisha kishte vdekur në vend si pasojë e të shtënave me armë, ndërsa vëllai i tij ishte plagosur. Ai ishte dërguar në spital. Njerëz të armatosur kishin hyrë brenda dhe e kishin vrarë brenda ambientit ku pritej t’i jepej ndihmë mjekësore.

Në vitin 2000 në fshatin Kotorr të Skënderajt është vrarë Xhafer Hajriz Behrami vëlla i Jetullah Behramit në atë kohë anëtar I LDK-së në Skënderaj.

Po në këtë atentat është plagosur edhe vetë Behrami, dhe Faruk Xhafer Behrami. Ndërkaq në një tentim atentati në vitin 2001 ndaj Jetullah Behramit, plagoset vajza e tij, Behija. Autorët e këtyre sulmeve asnjëherë nuk janë zbuluar nga policia.

 

GAZETA EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.