Provimi i gjuhës, pedagogët: Jo kusht për masterin

Mbrojtja e gjuhës angleze si një kusht për të përfunduar studimet master, ka filluar të kundërshtohet nga pedagogët e universitetit të Tiranës, ndërkohë që në universitetet shqiptare kanë filluar protestat nga studentët, pasi mbeten vetëm pak muaj nga diplomimi i të parëve, pas ndryshimeve që ju bënë ligjit të arsimit të lartë. Gjatë një interviste për AS, arsimtarët thonë se ka kohë për ndryshime, edhe pse tashmë është zyrtarizuar mbrojtja e gjuhës angleze sipas Toeflit. Ata shprehen se janë për diversitet të gjuhëve.
"Nuk mund të privosh dhe të detyrosh këdo që të orientohet drejt anglishtes duke eskluduar gjuhë të tjera të cilat janë mjaft të rëndësishme. Ata të cilët përfundojnë studimet e larta këtu tek ne, marrin një diplomë. Kaq pa vlerë qënka ky dokument që marrin sa i duhet përsëri që të standardizojnë njohuritë e tyre sipas Toeflit. Gjykoj që mund të modifikohen në mënyrë më fleksibël", thotë Andri Koxhaj, pedagog në fakultetin ekonomik.
Sipas tyre, mbrojtja e gjuhës angleze nuk duhet të jetë një kriter, për të përfunduar studimet Bachelor.
"Implementimin e gjuhës angleze askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e saj, askush nuk mund ta ekskludojë, por të vendosen disa trend që kanë një dinamikë më pozitive. Që do të thotë që për 3 vitet e ardhshme studentët të kenë veç diplomimit dhe certifikimit të njohurive të tyre në çdo fakultet, dhe një standard të caktuar të masterit", tha Koxhaj.
Ditët e fundit studentët e universitetit të Tiranës kanë protestuar përpara ministrisë së Arsimit në lidhje mbrojtjen e gjuhës anglezë, e certifikuar kjo sipas Toeflit. Ata kanë hedhur pretendime, si ky është një kriter diskriminues, që nuk duhet ti penalizojë nga diplomimi universitar.
Albanian Screen
Add new comment