Protestuan për rastin “Monstra” 10 shqiptarë të tjerë nën akuzë.

10 shqiptarë të Maqedonisë janë nën akuzë pasi prokuroria ka ngritur padi penale për pjesëmarrje në protestën kundër rastit ‘Monstra’ që u mbajt më 4 korrik të këtij viti.
Prokuroria dorëzoi në gjykatë akuzën për dhjetë personat E.V, V.B, F.N, I.M, R.M, F.N, S.I, N.Xh, B.R dhe R.I, nën dyshimin se kanë qenë pjesë e numrit më të madh të njerëzve të cilët kanë marrë pjesë në trazirat para Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe Shkupi 2.
Më 30 korrik për veprën e njëjtë, gjykata dënoi me nga 3 vjet gjashtë protestues tjerë Arian Rexhepin, Muharem Bardhin, Adem Abdullain, Enur Iljazin, Muharrem Isain dhe Rami Buçin, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Rexhep Bislimi dhe Fadil Zekiri u lanë të lirë.
Gjykatë kishte vendosur që gjashtë të dënuarit, përveç vuajtjes së dënimit me burg duhet të paguajnë edhe dëmin material ndaj gjykatave, që është vlerësuar 26 mijë euro.
Ndërkohë 4 nga të dënuarit për rastin ‘Monstra’ që gjenden në burgjet e Maqedonisë, tashmë një javë kanë hyrë në grevë urie, për shkak se ende nuk është zyrtarizuar aktvendimi përfundimtar i Gjykatës Themelore Shkupi 1.
Familjarët njoftojnë se gjendja e tyre shëndetësore është e përkeqësuar.
Add new comment