Prishtinë, alarm i rremë për bombë
Rruga “Agim Ramadani” në Prishtinë është bllokuar për rreth 2 orë mbrëmjen e kësaj të marte nga Policia e Kosovës, pasi dyshohej për një mjet shpërthyes. Lajmin për Top Channel e konfirmoi zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ahmeti njoftoi se, njësitet e Policisë së Kosovës shkuan menjëherë në kërkim të mjetit shpërthyes. Por, ajo nuk dha detaje të tjera lidhur me ngjarjen.
Edhe njësiti antieksploziv i Policisë së Kosovës u nis drejt rrugës “Agim Ramadani”, ku dyshohej të ishte mjeti shpërthyes, siç u shpreh për Top Channel zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Rruga prapa Teatrit Kombëtar u bllokua përgjatë kësaj kohe nga forca policore, si për makinat, ashtu edhe për këmbësorët, por pasi nuk u gjet asgjë, gjithçka iu rikthye normalitetit, edhe pse me shumë mbeturina të shpërndara rrugëve, të cilat kanë nisur të pastrohen menjëherë. / Top Channel
Add new comment