Policia apel qytetarëve, evitoni lëvizjet në aksin Orikum-Llogora
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/4503_9_14.jpg?itok=UGZaLwNx)
Policia e Vlorës u ka bërë sot thirrje qytetarëve për të evituar përkohësisht lëvizjet në aksin rrugor Orikum-Himarë, për shkak të problemeve të krijuara si pasojë e reshjeve të dëborës dhe akullit në Qafën e Llogorasë.
Përmes një komunikate për shtyp, policia paralajmëroi qytetarët për rreziqet që krijon lëvizja në këtë qafë, për shkak të reshjeve të shumta të dëborës dhe shtresave të akullit të krijuara nga temperaturat e ulta, pavarësisht masave të marra për pastrimin e rrugës.
Sipas policisë, rruga që përshkon Qafën e Llogorasë është e pakalueshme edhe me zinxhirë. "Drejtoria e Policisë së qarkut Vlorë dhe Njësitë Rajonale të Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë organizuar shërbime dhe janë në mbështetje të organeve përkatëse për zhbllokimin e tyre", nënvizohet në komunikatën zyrtare të policisë lokale.
Reshjet e dëborës në Qafën e Llogorasë, 1050 metra mbi nivelin e detit, nisën mbrëmjen e së hënës të kësaj jave dhe kanë vazhduar gjatë këtyre tre ditëve.
Nga ana tjetër, vlerat e ulta të temperaturave dhe era e ftohtë, kanë krijuar shtresa akulli në rrugë, duke e bërë të rrezikshme qarkullimin e automjeteve përgjatë saj.
Ballkanweb.com
Add new comment