Panik për 21 dhjetorin. Sizmika, telefonata për fundin e botës

Postuar në 19 Dhjetor, 2012 15:01

Qytetërimi i lashtë Maja e ka parashikuar si ditën e fundit të botës. Këtë të premte planetët do të rreshtohen në një vijë, ndërsa Dielli që hyn në fazën e tij maksimale të stuhive dhe shpërthimeve, do të vihet në qendër të Galaktikës sonë. Dhjetëra profeci ndër shekuj e parashikojnë 21 dhjetorin 2012 si fundin e kohës dhe nisjen e rrënimit të gjithçkaje në Tokë. 

Ky fund imagjinar i botës ka trembur edhe shqiptarët. Përditë, dhjetëra vetë telefonojnë pranë Institutit të Gjeoshkencave dhe pyesin se a do të marrë fund gjithçka këtë 21 dhjetor. Paniku i tyre duket se është shtuar që pas tërmetit prej 4.2 shkallë rihter të datës 13 dhjetor. 

"Në përgjithësi njerëz të ndryshëm kanë pyetur për të marr informacion për tërmetin dhe duke patur parasysh dhe faktin e datës 21 dhjetor, që siç e dinë të gjithë kjo datë përflitet, është një aludim për fundin e botës", thotë Rrapo Ormeni, drejtor i Departamentit Sizmiologjik.

Specialistët shqiptarë janë munduar të qetësojnë shpirtrat e trazuar, duke u thënë atyre atë që edhe Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, publikoi pak kohë më parë: Asgjë nuk do të ndodhë më 21 dhjetor.

"Nuk ka deri më sot asnjë të dhënë shkencore që të thotë diçka në këtë drejtim, që të ketë të paktën 1 të dhënë për fundin e botës. Me arritjet e sotme shkenca mund të përcaktojë dhe fenomene që mund të ndodhin në një të ardhme të afërt. Aq më tepër pastaj, fenomene të ndryshme që mund të vijnë nga kozmosi, si asteroid, që të gjitha janë të parashikueshme", thotë Ormeni.

Tërmetet janë një dukuri që nuk mund të parashikohen nga shkenca. Shqipëria është në një zonë me aktivitet të lartë sizmiologjik. Ndaj - sipas ekspertëve - çdo tërmet eventual gjatë këtyre ditëve mund të jetë i lidhur vetëm me këtë aktivitet.

 

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.