Pallate me klering, ndërtuesit në vështirësi financiare

Kriza dhe mungesa e parave në dorë detyron ndërtuesit të paguajnë me metra katrorë. Për gjithçka që kryejnë me kontraktorët për punimet elektrike, hidrosanitare, ato të duraluminit, ndërtuesit tashmë paguajnë me apartamente. Por, sipas Maksim Muçit, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, edhe kjo formë nuk po jep rezultat. "Forma me "klering" qe për të shfrytëzuar tamam ato reservat e mundshme, të brendshme që ka një shoqëri ose një ekonomi, por nuk është ajo zgjidhja. Forma me "klering" qe, që, sipërmarësi kryesor kërkonte nga sipërmarësit më të vegjël që mos ti bënte me pagesë me monedhë por me "klering", pra ti jepte sipërfaqe ndërtimi. Kjo funksionoi për një pjesë të shkurtër, por krijoi edhe probleme të tjera. Nuk është kjo forma për të vazhduar", u shpreh Muçi. Sektori i ndërtimit prej tre vitesh po përballet me këtë situatë ngërçi. Shitjet kanë rënë, lejet e ndërtimit janë ndërprerë në pritje të miratimit të planeve rregulluese dhe nga ana tjetër, edhe materialet e ndërtimit janë shtrenjtuar. "Sektori i ndërtimit aktualisht është në situatë krize, ku treguesit kryesor janë: vëllimi i punës ka rënë rreth 40 përqind të vëllimit të punës që ishte para një viti. Përsa i përket shitjes së apartamenteve për firmat që investojnë vetë për ndërtimin e banesave, mund të themi se dhe kjo është pothuajse e bllokuar",- tha Muçi. Sipas tij, në shkallë vendi janë afro 10-12 mijë apartamente stok që nuk po shiten. Vështirësia financiare e kompanive të ndërtimit është rritur edhe për shkak të punëve të papaguara publike, një vlerë që shkon deri në rreth 100 milionë euro. Albanian Screen
Add new comment