Pakti "Për Shqipërinë si gjithë Europa", Rama: Ja 10 propozimet për Berishën

Postuar në 23 Shtator, 2011 08:01

Partia Socialiste, nëpërmjet kryetarit të saj, Edi Rama ka bërë publike 10 propozimet për një pakt kombëtar në Shqipëri, propozime që janë në fakt njëkohësisht edhe dhjetë kushte të opozitës për të pasur një dialog konstruktiv me mazhorancën. Ndonëse z.Rama nuk e tha shkoqur, u nënkuptua se realizimi i këtyre dhjetë kushteve do të sillte edhe votimin e ligjeve që duan tre të pestat në Kuvend.
Propozimet e PS u bënë sot në një komunikim me gazetarët, ku z. Rama ka paralajmëruar se në vend po troket dështimi i dytë.
Këtë pohim z.Rama e bëri duke iu referuar qëndrimit që BE pritet të japë më 12 tetor lidhur me kërkesën e qeverisë shqiptare për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në emër të paktit që e emërtoi "Për Shqipërinë si gjithë Europa", Rama ka renditur 10 propozimet e mëposhtme:
1. Të votohen rregullat e bashkëjetesës politike në Kuvend.
2. Të ngrihet Komisioni Kuvendor ad hoc për të miratuar brenda Dhjetorit 2011 reformën institucionale të Parlamentit, bazuar në defektet e vërejtur nga BE dhe me asistencën e OSBE-së.
3. Të nënshkruhet marrëveshja dypalëshe që brenda Marsit të vitit 2012 të mbarojë reforma zgjedhore. Palët të bien dakord që, çdo propozim i opozitës, që merr dritën jeshile të ODIHR të miratohet me konsensus, si edhe të përzgjidhet një ekspert i sugjeruar nga ODIHR.
4. Të arrihet konsensus për zgjedhjen e Këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Të rikthehet e drejta e opozitës për të propozuar 3 nga 9 anëtarët e Këshillit si dhe te votohet me konsensus kandidati i propozuar nga presidenti për Guvernatorin e Bankës. 
5. Të zgjidhet me konsensus kryetari i KLSH-së. Kandidati të mos ketë qenë anëtar në asnjë prej dy partive kryesore.
6. Të zgjidhet me konsensus Avokati i Popullit. Kandidati të mos ketë qenë anëtar në asnjë prej dy partive kryesore.
7. Komisioni i ligjeve, brenda këtij viti parlamentar, të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad hoc, rast pas rasti, çdo çështje që lidhet me 3/5 e votave.
8. Ne japim dakordësinë se do të votojmë çdo akt të këtij procesi.
9. Kufizimi i imunitetit nuk mund të jetë në vazhdën e praktikës së gabuar. Propozojmë tryezë për rishikimin e Kushtetutës ku të përshihet edhe Komisioni i Venecias për këtë çështje. Këto duhet zbardhja e disa ngjarja si 21 janari apo emrat e përfolur në kabllogramet e WikiLeaks.
10. Të balancohet bordi i RTVSH (Radio-Televizioni Publik Shqiptar). Të garantohet paanshmëria si dhe të votohet me konsensus ligji i mediave.

Marrë nga noa.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.