Nishani: Media, kontribuese për përparimin

Presidenti, Bujar Nishani ka vleresuar mediat dhe rolin e tyre si kontribues te perparimit. Sot në mesditë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani kane mbajtur pritjen tradicionale ne Presidence me rastin e festave të fundvitit për përfaqësuesit e mediave shqiptare.
“E them me bindjen e madhe dhe besimin e plotë, që përcjell edhe perceptimin e çdo qytetari të këtij vendi, që keni qenë dhe ju kontribues kryesorë të përparimit, të maturimit dhe të zhvillimit, të kulturës së gjithë shoqërisë sonë, duke vendosur edhe një gur tjetër në ecjen përpara të shoqërisë sonë, e cila e ka të nevojshme si çdo shoqëri tjetër në botë bashkëpunimin, praninë, kontributin e medias dhe njerëzve të medias si dhe të atyre që e përkrahin median. Por, kuptohet që shoqëria jonë ka nevojë akoma më shumë, pasi, duke qenë një demokraci e re, duke qenë një vend, i cili institucionet i konsolidon çdo ditë e më shumë, ky shërbim, dhe me besim të madh e them shërbim, i cili gjykoj që është pak më shumë se sa kontribut, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Presidenti, inkurajoi përfaqësuesit e medias që të jenë gjithmonë e më shumë aktivë, gjithmonë e më shumë kritikë, gjithmonë e më shumë të orientuar nga analiza e komentet e të gjithë fushave, në mënyrë që shoqëria shqiptare të jetë gjithmonë në nivelin që meriton të ketë një shoqëri ambicioze për të ardhmen e saj dinamike në jetën shoqërore, politike, sociale, kulturore të vendit.
Duke e konsideruar vitin e ardhshëm si një vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi do të mbahen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e cilësoi median një promotore, mbështetëse, inkurajuese dhe evidentuese të sfidave të qenësishme me të cilat do të përballet shoqëria shqiptare.
Burimi: http://www.panorama.com.al
Add new comment