Ndërtimet, çmimet e banesave nuk ndryshojnë, rriten qeratë

Sektori i ndërtimit nuk i uli çmimet e shitjeve të banesave të reja as këtë verë, e për pasojë, shitjet nuk u rritën, ndërsa vërehet rritje e kërkesës për qeratë.
Ndërtuesit e lidhin këtë fenomen me uljen e investimeve krahas rënies së numrit të lejeve për ndërtime të reja. Ecuria e çmimeve të banesave diktohet nga kërkesa e pakët për blerje banese, fenomen i dukshëm në tre vitet e fundit. Edhe sistemi bankar njofton rënie të kërkesave nga individët për të marrë një kredi për blerje banese.
Por tregu i shtëpive në Tiranë është rritur në vartësi të luhatjes së çmimeve në zona të ndryshme. Por ndërsa shqiptarët nuk riskojnë me shpenzimin e parave për banesa të shtrenjta, duke synuar apartamente të vogla, afrimi i sezonit shkollor ka rritur dhënien e banesave me qera, të cilat llogariten në një rritje rreth 10 % të kërkesës nga muajt e verës.
Rritja e kërkesave për pasuri të paluajtshme në tregun imobiliar vazhdon të ndjekë pritshmëritë e konsumatorëve, gjendjes së tyre ekonomike dhe kontekstit të përgjithshëm social-ekonomik.
Sipas agjentëve imobiliarë, kërkesat për shitblerje të apartamenteve të mëdha janë ulur rreth 10 %, ndërsa blihen banesa të vogla me çmime 40.000-70 000 euro, kryesisht në zonat periferike me infrastrukturë të rregulluar.
Tirana paraqitet më keq me volumin e shitjes së banesave edhe pse ka numrin më të madh të tyre në shitje, ndërsa blerjet janë rritur në qytetet e tjera për çmimet më të ulta që kanë.
Ndërtuesit gjykojnë se ndonëse statistikat e INSTAT flasin për një treg pozitiv të ndërtimit në 2011, shitjet në pjesën më të madhe lëvizin në rrethe dhe jo në Tiranë, ç'ka reflekton tendencat e emigrantëve të kthyer që blejnë banesa kryesisht në qytetet e origjinës.
Ballkanweb.com
Add new comment