Naço: S'kam axhendë personale të sulmoj gjyqtarë të veçantë.

Postuar në 11 Tetor, 2014 05:27

Nasip Naço, ministri i Drejtësisë i është drejtuar mbi 300 gjyqtarëve nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duke kërkuar ndryshimin e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve. Naço, theksoi se ky sistem vlerësimi që praktikohet nga KLD, është jo efiçent. Më tej ministri i Drejtësisë theksoi se nuk është në axhendën e tij personale për të sulmuar gjyqtarë të veçantë, përkundrazi, në çdo rast sipas tij ka kërkuar që të evidentohet pjesa më e mirë e sistemit, gjyqtarë apo prokurorë.

“Nuk mundem dot sot që me këtë sistem vlerësimi të bëj një përzgjedhje të gjyqtarëve apo prokurorëve më të mirë, ndaj Ministria e Drejtësisë ka marrë për të miratuar me ligj, një nga variantet më të mira në vendet e BE-së",-tha Naço. Ministri tha gjatë përzgjedhjes së anëtarit të bordit drejtues të Shkollës së Magjistraturës nga konferenca gjyqësore se objektivi mbetet konsolidimi i paanshmërisë dhe pavarësisë së gjyqesorit. Qeveria, tha ministri i Drejtësisë do të mbështesë Shkollën e Magjistraturës si shtylla e edukimit juridik në vend.

Shqetësim etiketimet
Konferenca Gjyqësore Kombëtare shpreh shqetësimin e saj se etiketimet dhe tonet negative në drejtim të të gjithë gjyqtarëve pa dallim, jo vetëm cënojnë funksionimin normal të sistemit gjyqësor, por komprometojnë rëndë misionin e dhënies së drejtësisë dhe pavarësinë e këtij sistemi. Megjithatë K.GJ.K denoncon me forcë dhe në mënyrë të prerë çdo fenomen korruptiv në radhët e gjyqësorit, dhe inkurajon organet ligjzbatuese që të ndërmarrin masa konkrete në luftën kundër këtij fenomeni. Ato duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të identifikuar individët të cilët kryejnë veprime që bien ndesh me ushtrimin e detyrës,duke i vënë ata para përgjegjësisë ligjore.

Për këto arsye, K.GJ.K kërkon me vendosmëri,që në zbatim të detyrave kushtetuese dhe ligjore që i ngarkohen, të angazhohet maksimalisht për të luftuar pa kompromis këtë fenomen të rrezikshëm dhe shumë të dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë. “Në këtë proces kontribut të vlefshëm duhet të japin te gjitha institucionet shteterore shoqëria civile, media dhe çdo individ. Gjyqtarët duke vlerësuar mbështetjen e deritanishme, kërkojnë nga strukturat përkatëse shtetërore, marrjen e masave të mëtejshme që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme të punës, rritjen e sigurisë në gjykata, dhe trajtim financiar dinjitoz”-thuhet në deklaratë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.