Meta pret ministrin arab: Krijijohet Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Emirate.

Postuar në 13 Mars, 2014 08:42

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot  Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe SH.T. Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe diskutuan mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.Kryetari i Kuvendit z. Meta bëri një vlerësim të veçantë për firmosjen e sotme të tre marrëveshjeve të rëndësishme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shprehu bindjen se kjo vizitë e Sheikut Abdullah bin Zayed Al Anhyan në Tiranë do të kontribuojë në intensifikimin konkret dhe më të shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe.

Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ministri Al Nahyan ndanë bindjen se forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare mes dy vendeve do t’i shërbejë intensifikimit të kontakteve mes dy vendeve dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë kuadër, z. Meta konfirmoi krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Emirate të Bashkuara Arabe në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të drejtohet nga deputeti Oerd Bylykbashi dhe ka në përbërje 21 deputetë nga të gjitha partitë politike.

Ministri Abdullah bin Zayed Al Nahyan u shpreh se Emiratet e Bashkuara Arabe e vlerësojnë miqësinë me Shqipërinë dhe rolin e saj në Ballkan, duke nënvizuar njëkohësisht vullnetin e palës emiratase për inkurajimin e investimeve konkrete dhe projekteve zhvillimore për Shqipërinë dhe vendet e saj fqinje.

Duke shprehur mirënjohjen për kontributin pozitiv të EBA në Evropën Juglindore, veçanërisht ndaj Kosovës, z. Meta theksoi se Shqipëria si faktor stabiliteti dhe zhvillimi në  Ballkan mund të shërbejë si portë hyrëse për investimet emiratase, veçanërisht në fushat e energjisë, transportit, bujqësisë dhe turizmit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.