'Lazarati' dhe 'Territorialja' i dhanë statusin kandidat vendit!

Postuar në 18 Shtator, 2014 07:04

VIENE - Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning paraqiti sot raportin për Shqipërinë, përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-SË në Vienë. Në raport theksohet se nismat e ndërmarra nga ana e qeverisë në këtë vit të parë qeverisë, veçanërisht aksionin antikanabis në Lazarat si dhe ndarja e re administrativo-territoriale i dhanë Shqipërisë, statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, në qershor të 2014.

Në raportin e paraqitur nga ana e Rauning, vlerësohet qëndrueshmëria e qeverisë në drejtim të reformës territoriale, ndërsa nënvizohet fakti se qeveria dhe opozita nuk punuan bashkë për këtë reformë, duke shtuar faktin se opozita s’ka marrë pjesë në disa reforma të rëndësishme.

OSBE: Korrupsioni në gjyqësor, pengesë themelore për demokracinë
Raporti i Florian Rauning ndalet edhe tek reforma në drejtësi si dhe tek korrupsioni në gjyqësor. Siç theksohet në raport, korrupsioni në gjyqësor, është kthyer në pengesë themelore për demokracinë në Shqipëri.

Sa i përket reformës në drejtësi, raporti veçon se ka një përplasje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku theksohet se “Presidenti akuzon qeverinë se po dobëson pavarësinë e gjyqësorit”.

“Pranohet gjerësisht, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, se korrupsioni në gjyqësor është një nga pengesat themelore për një demokraci plotësisht funksionale në Shqipëri. Megjithatë, reforma në drejtësi është bërë gjithnjë e më shumë një çështje përplasjesh të hapura mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) – kryesuar nga Presidenti i Republikës – i cili, për çështje si masat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe kompetencat e Presidentit në lidhje me gjyqësorin, ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të dobësojë pavarësinë e gjyqësorit.” thuhet në raport

Raporti: Betejë politike mes palëve për të kapur institucionet e pavarura
Në raport flitet edhe për pavarësinë e gjyqësorit, duke u shprehur se ekziston një betejë politike mes mazhorancës dhe opozitës ku sipas raportit secila palë akuzon tjetrën se po përpiqet të marrë apo të mbajë në kontroll ente të caktuara, për arsye politike.

“Debati i vijueshëm rreth ndikimit politik në institucionet e pavarura shtrihet përtej sistemit gjyqësor dhe përfshin institucione të tjera që merren me çështje si mbikëqyrja e medias, antikorrupsioni, siguria shtetërore dhe statistikat zyrtare. Po zhvillohet një betejë politike për pavarësinë e këtyre institucioneve, ku secila palë akuzon tjetrën se po përpiqet të marrë apo të mbajë në kontroll ente të caktuara, për arsye politike.” nënvizohet në raport

OSBE: Vrasja e Santos dhe vjedhja e BSH, drejtësia e brishtë
Në veçanti raporti nënvizon faktin se asnjë prej zyrtarëve të lartë, të akuzuar për korrupsion, nuk është dënuar nga ana e drejtësisë. Referuar kësaj, raporti i OSBE-së shprehet se duke u nisur nga vrasja e ish-banierit Artan Santo dhe skandalit të vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i brishtë.

“Megjithëse autoritetet kanë nisur hetimin dhe ndjekjen penale të disa zyrtarëve për akuzën e korrupsionit, ende nuk ka ndonjë historik të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të lartë. Një sërë vrasjesh të nivelit të lartë të personaliteteve të biznesit dhe zbulimi i një vjedhjeje të konsiderueshme në Bankën e Shqipërisë kanë vazhduar të japin përshtypjen se shteti i së drejtës është ende i brishtë. Megjithatë, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi në shtator 2014 se prokurorët shqiptarë po hetojnë një numër zyrtarësh të lartë të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Nën drejtim të ri që prej shkurtit 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave po bën përpjekje të bashkërenduara. Nga marsi deri në korrik 2014, Inspektorati i referoi 33 raste.” thekson OSBE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.