Largimi i Greqisë, NYT: Amerikanët, gati për Dhrahminë

"Kompanitë amerikane janë duke u përgatitur për atë që kohë më parë ishte e paimagjinueshme: faktin se Greqia së shpejti mund të detyrohet të largohet nga zona euro". Kështu shkruan New York Times, që tregon se degët e Bankës së Amerikës dhe Merrill Lynch kanë gati planet për të "mbushur kamionë me të holla për të dërguar jashtë kufijve të Greqisë në mënyrë që klientët e tyre mund të vazhdojnë të paguajnë punonjësit dhe furnitorët edhe nëse monedha nuk është më në dispozicion."
"Ndërsa Ford,-vazhdon e përditshmja e New Yorkut,-ka ndryshuar tashmë sistemet kompjuterike në mënyrë që të menaxhojë një monedhë të re greke. Përveç kësaj, bankat dhe firmat konsulente janë duke ofruar këshilla për klientët se si të përgatiten për një ndarje të zonës euro."
New York Times thekson se kjo është në kundërshtim me garancitë e ofruara nga politikanët evropianë se kriza është e menaxhueshme dhe se bashkimi monetar do të mbijetojë. Sipas një studimi të kryer gjatë verës nga Corporate Executive Board, një kompani private konsultimesh, 80 për qind e kompanive besojnë se Greqia do të dalë nga unioni e një e pesta e tyre presin që vendet e tjera ta pasojnë.
Analistë të kompanisë së konsultimeve thonë se kompanitë private po përgatiten tashmë dhe për skenarin që shpallja e një dalje të mundshme nga euro të vendoset në Athinë të premten në mbrëmje, kur tregjet globale janë mbyllur.
Albanian Screen
Add new comment