Krim horror në Durrës, mbyten me qese dhe litar 2 të moshuara.

Qyteti bregdetar i Durrësit është zgjuar i shokuar këtë mëngjes nga një krim i pazakontë. Dy të moshuara, kunata me njëra-tjetrën, janë vrarë në mënyrë mizore në banesën e tyre: të mbytura me qese plastmasi dhe me duart e lidhura me litar.
Krimi tronditës ndodhi pas mesnate në lagjen numër 11, teksa Elsa Vava 75 vjeç dhe Gjinovefa Vava 70 vjeç janë gjetur të pajeta në banesën 2-katëshe mëngjesin e kësaj të Marte. Autorët e vrasjes së dyfishtë, të cilët dyshohet se kanë hyrë në banesë duke kapërcyer murin rrethues ende nuk janë zbuluar, ashtu sikurse rrethanat e krimit mbeten ende të paqarta.
Një nga pistat e policisë së Durrësit është ajo e grabitjes, pasi nga kontrolli i bluve, shtëpia është gjetur e shkatërruar. Pista tjetër është ajo e konflikteve për pronësinë, pasi ka pasur gjyqe pronash mes kushërinjsh.
Sakaq, në shtëpinë e dy të moshuarave që humbën jetën, ndodhej dhe një tjetër e moshuar e cila fatmirësisht nuk është dhunuar nga grabitësit, ndërsa mësohet se ishte e paralizuar. Ajo është motra e një prej të moshuarave që mbeti e vrarë, ndërsa mësohet se nuk është në gjendje për të folur në lidhje me cfarë ndodhi në banesë.
Të moshuarat jetonin shumë pranë të afërmve të tyre. Ishte djali i 75-vjeçares Elsa Vava ai që ka shkuar në banesë dhe ka parë të pajeta nënën e tij dhe nusen e vëllait të të moshuarës.
Në vendngjarje policia po mbledh provat materiale po merr kontakt me të afërm të viktimave për të mësuar se cili ka qenë motivi i këtij krimi të pazakontë. Deri më tani 10 persona janë shoqëruar në komisariat dhe po merren në pyetje për të hedhur sadopak dritë mbi vrasjen e dyfishtë.
Add new comment